Pozita e favorshme e Janinës për prodhimin dhe për import-eksportin e mallrave, tokat pjellore të Thesalisë, numri i madh i gjësë së gjallë, të gjitha këto favorizonin zhvillimin e mëtejshëm të pashallëkut dhe mirëqenien e popullit. Jo pa qëllim Aliu “i vuri syrin” këtij qyteti të rëndësishëm, por sipas studiuesve, është i pamohueshëm fakti se Ali Pashë Tepelena realizoi një zhvillim të madh të ekonomisë dhe jetës së Janinës.

Shumë autorë në përshkrimet dhe në të dhënat ekonomike e shoqërore që japin për këtë qytet, nxjerrin fakte, të cilat në shumicën e rasteve i ngrenë lart vlerat e Janinës dhe historisë së saj. Sigurisht, jeta kulturore e qytetit të Janinës, ka ekzistuar edhe para ardhjes së Aliut si qeveritar. Por nga ana tjetër thuhet se ndër politikat më befasuese të Aliut ishte investimi për nxitjen përhapjen e arsimit dhe kulturës. “Rëndësia që i dha Aliu, zgjerimit të horizontit politik dhe intelektual, fryma perëndimore që ai solli në qytet si një moderator që frymëzoi iluminizmin europian brenda vetë perandorisë Osmane”. (Vasil Panajotopullo; “Arkivi i Ali Pashës”, vëll. IV, Athinë 2009, f. 113).

“Popullsia nën kohën e tij arrinte 1.5-2 milionë banorë”. (Irakli Koçollari, “Korrespondenca dhe dorëshkrime të Ali Pashë Tepelenës”, ‘Onufri’, Tiranë 2016, f. 27).

BURRË SHTETBËRËS

Janina ishte kryeqyteti i jugut shqiptar, e popullsia ishte sa greqishtfolëse, aq edhe shqipfolëse, por meqë gjuha e perandorisë ishte turqishtja, doemos flitej edhe ajo gjuhë. Ashtu siç ishte komuniteti i vllehëve me gjuhën e tyre arumune, popullsia hebreje, me gjuhën e saj edhe ajo. Megjithatë në Janinë Aliu nuk u udhëhoq nga parimi gjuhësor, por nga parimi ligjor.

Edhe sa u takon besimeve, në Janinë lulëzonin krishterimi ortodoks me kishat e tij, por edhe myslimanizmi me xhamitë e mëdha. Ashtu siç teqetë, kishin besimtarët dhe adhuruesit e tyre. Pavarësisht nga këto fakte, asnjëherë feja nuk u mor si bazë në qeverisjen e vendit. Vetë Aliu ishte bektashi, por ai asnjëherë nuk u tregua i njëanshëm në besimin fetar.

Përkatësia fetare nuk përbënte pengesë për bashkëjetesë normale midis myslimanëve dhe të krishterëve. Madje, në shumë raste ata filluan edhe të lidhnin krushqi. “Politika që ndoqi Ali Pashë Tepelena dhe që ndryshoi botëkuptimin e shqiptarëve që banonin në pashallëkun e tij, lidhur me fenë, kishte si qëllim çlirimin nga konceptet e vjetra fetare dhe rritjen e mëtejshme të ndjenjave kombëtare mbi ato fetare. (Aristidh Kola, “Arvanitasit”, ‘Toena’, Tiranë 2008, f. 115).

Pashai nuk ecte, ai vraponte drejt qëllimit të tij, duke treguar një interesim të veçantë për botën politike dhe sociale të Evropës Perëndimore. Përpjekje të mëdha ai bëri edhe për të përvetësuar fjalorin politik si dhe emblemat e tjera të qytetërimit evropian. Një material interesant na vjen edhe nga kancelaritë austro-hungareze, më saktë nga princi Meternich, i cili në kujtimet e tij shprehet për Aliun: “Ali Pasha më dërgoi në vitin 1820, një njeri të besës dhe nëpërmjet tij më lutej t’i dërgoja një këshilltar për t’i hartuar një konstitucion-Kushtetutë (“Memories du prince Metternich”, Paris: 1881 vëll. III, f. 536).

Edhe për ndërtimet që u bënë në kohën e Ali Pashës në Janinë, flet historiografia greke, por edhe ajo e huaj. “Kurrë më parë nuk u realizuan aq shumë vepra publike sesa në kohën e Aliut. As rrugë nuk ishin hapur më parë, aq sa u hapën në kohën e tij, arterie me vlera të mëdha, stacione ushtarake, ura dhe vepra të tjera me karakter hidroteknik që i shërbyen zhvillimit të bujqësisë, vepra industriale dhe objekte të tjera që nxitën dhe i shërbyen zejtarisë. (Dhimitër Zoto, “I dhiqeosini is to kratos tou Ali Pasa” (“Drejtësia në shtetin e Ali pashës”), Athinë”, 1938, fq. 139-140).

Në kohën e Aliut, moçalet dhe kënetat në veri të Artës u thanë nën mbikëqyrjen e inxhinierëve europianë me qëllim rritjen e sipërfaqes prodhuese në rajon. U hapën klube çaji dhe bujtina përgjatë rrugëve më të rëndësishme të komunikacionit dhe u shtrua me kalldrëm rruga më e rëndësishme nga Janina deri në Prevezë, përgjatë bregdetit Jonian. Më 1804, përgjatë rrugës Janinë-Trikallë kishte hane në rreth çdo një orë rrugë. Aliu i bëri rrugët më të sigurta duke forcuar urat ekzistuese dhe duke ndërtuar të reja. Ai ndërmori punime të shumta vaditëse dhe drenazhim, por dërgoi edhe specialistët e tij deri në Liverpul, për të përfituar nga përvoja e re e bujqësisë angleze.

Në oborr si dhe në zyrat e kancelarisë së tij në Janinë, ai mbante përherë pranë vetes këshilltarë vendas dhe të huaj. Këshilltarët e huaj kishin ardhur nga të gjitha anët e Europës, kryesisht nga Franca dhe nga Italia. Falë një sërë letërnjoftimesh, kontrata, dokumente, jetëshkrime dhe përshkrime, që ruhen ende nga Pashallëku i Janinës, shikohet formimi i tyre intelektual dhe shumëplanësh në fushat ushtarake, administrative, politike dhe kulturore.

Çdo gjë tek ai ishte përshkruar me një stil unik, ashtu siç e përmend edhe Fleming në veprën e saj: – “Veshja, sjellja e tij, por edhe dekori i shtëpive, mobilimi dhe zbukurimi elegant i tyre ishin realizuar me shumë kujdes, me qëllim paraqitjen dinjitoze përpara europianëve”. (Katherinë Fleming, “Bonaparti Mysliman”, “Dituria”, Tiranë 2003, f. 90).

Liku, si dhe shumë vizitorë të tjerë evropianë në Pashallëkun e Aliut kanë vënë re se në fund të shekullit XVII, “Një pjesë e madhe e burrave shqiptarë, flisnin shqip, greqisht dhe të paktën, një gjuhë europiane, e thuajse të gjithë shqiptarët e oborrit të tij, kishin shërbyer edhe jashtë Shqipërisë”.

Në reformat e mëdha kulturore dhe ekonomike në zotërimet e Aliut, nuk duhet lënë pa përmendur edhe një element shumë i rëndësishëm siç është gjuha. “Padyshim që gjuha shqipe ishte një tipar përcaktues në identitetin kombëtar të Ali Pashës, e të gjithë shqiptarëve. Pavarësisht influencave të mëdha europiane dhe kontakteve me perëndimin, gjuha shqipe u shërbeu shqiptarëve si një tipar i rëndësishëm dhe dallues i identitetit të tyre kombëtar. Përdorimi i greqishtes nuk e bënte Aliun as grek, e as ortodoks. Ashtu siç statusi i Pashait që i kishin dhënë otomanët, nuk e bënte atë aspak osman. (Katherinë Fleming, “Bonaparti Mysliman”: “Dituria”, Tiranë 2003, f. 96)

I PASHKOLLI QË BËRI ARSIM

Gjatë kohës së zotërimit të pashallëkut të Janinës, Ali Pasha shfaqet si reformatori i parë në trevat e sunduara nga perandoria osmane, që në mënyrë institucionale, pas shumë shekujsh kthen vëmendjen tek rilindja dhe shkollimi i popujve të këtyre anëve. Ai nxiti zhvillimin e arsimit me bindjen e plotë se ishte nevojë e parë dhe domosdoshmëri, përgatitja e një brezi që do të drejtonte atë shtet në nivelet e një shoqërie të zhvilluar. Mbështeti dy shkollat ekzistuese dhe bazuar në porositë e tij, u hartuan programet për përgatitjen e mësuesve dhe administratorëve. Duke e ushqyer rininë me zell për dije dhe kulturë, nën vëmendjen e veçantë të tij.

Ali Pasha i ka kushtuar rëndësi arsimit në Janinë, por gjithashtu ai jepte çdo vit 1200 grosh për mirëmbajtjen dhe funksionimin e shkollës së Artës. Gjatë kohës që administronte Aliu, u zhvilluan shkollat, u nderuan njerëzit me kulturë, u ftuan dhe u pritën si mysafirë, shkencëtarë dhe vizitorë të huaj.

Meritë e padiskutueshme e Ali Pashës dhe e qëndrimeve të tij, ishte hapja e gjimnazit “Zosimeja” në Janinë. Fatkeqësisht nuk është përmendur për vezirin e Janinës kjo vepër e pashoqe, që pati kontribute të veçanta për arsimin dhe kulturën ekonomike të këtyre viseve. Vend në të cilin u rritën dhe u arsimuan me dhjetëra rilindës shqiptarë, si vëllezërit Frashëri, Vreto, Qiriazi etj, të cilët dolën nga dyert e kësaj shkolle.

Në këtë qytet ishin dy shkolla, ku merrnin pjesë jo vetëm djemtë e qytetit por edhe shumë djem nga qytetet e tjera. Aliu e lejonte inteligjencën e oborrit të tij, të diskutonte lirisht nëpër sallone për probleme fetare, letrare, artistike, historike, shkencore. Ai lejoi në 1814, shfaqje publike në formën e një teatri, duke u bërë kështu sundimtari i parë në Perandorinë Osmane që futi këtë lloj edukimi të tillë.

Pra ky pasha, që një pjesë të mirë të jetës së tij kishte luftuar në mënyrë të pamëshirshme me kusarët e tmerrshëm, që ishte përballur me shumë plane apo intriga të egra, e njihte mirë edhe vlerën e kulturës dhe të arsimit dhe rolin e tyre në fatet e popujve, sidomos në popullin e atyre trojeve. Ai e vlerësoi civilizimin perëndimor dhe nxiti zhvillimin e kulturës në këto vende në mjerim mesjetar, vende të cilat ishin të mbushura me plaçkitës dhe kriminelë, e ku mbizotëronte ende fryma obskurantiste turke. (Vasil Panajotopulo; “Arkivi i Ali Pashës”, vëll. IV, Athinë 2009, f.118).

Aliu ishte një nga moderatorët e parë në Perandorinë Osmane, që me fizionominë e tij të shkëlqyer, tërhoqi vëmendjen dhe emocionoi gjithë Ballkanin plot 40 vjet me radhë. Reformator i nivelit ndërkombëtar, ai ishte një shtetbërës i vërtetë. Të gjitha lëvizjet e tij i bëri në kohën e duhur, me mençuri, por edhe me dinakëri, me dinamikë e civilizim, me kurajë e me këmbëngulje.

Gjithë sa u përmendën më lart do të doja t`i përmbledh me një pjesë nga intervista e gazetarit danez, Petër Olaf Bronsted, i cili i mahnitur nga vizita në sarajet e Janinës, shkruante në një gazetë në Kopenhagen: “Këtë njeri të jashtëzakonshëm, njerëzit e kanë parë në versionet e tyre dhe sipas interesave të tyre. Por unë e kam prezantuar atë në një pozicion tjetër, sinqerisht në një mënyrë të paanshme”. I mahnitur nga biseda me Aliun për kulturën, zgjuarsinë, mikpritjen, e deri tek njohuritë e tij shumëplanëshe në lidhje me vullkanet e Vezuvit dhe Etnës, ky gazetar shkruante: “Aliu është si njëri prej këtyre vullkaneve, që kanë njëqind efekte dhe pasoja, por që nuk dinë të derdhin vetëm flakë e zjarr. Zoti i krijoi ata, që pranë tyre të ndërtohen edhe kopshte të mahnitshme e të lulëzuara, me një bimësi të gjelbëruar, pikërisht pranë dallgëve të llavës përvëluese” (Peter Olaf Bronsted; “Interwiews with Ali Pasha of Janina”, the Danish institute at Athens: Athinë 1999, f. 77).

E vërteta është se ne shumë pak kemi bërë shkencërisht për të zbuluar përmasat e këtij sundimtari. Nëse përjashtojmë përpjekjen e pa zakontë të Prof.dr. Irakli Koçollarit, ne kemi mbetur folklorisht në “këngën” me dy vargje:… “Koka në Azi, e trupi në Janinë”. Çka nuk na nderon./Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb