Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos po trajtohet në një spital në Athinë pas problemeve me shëndetin si pasojë e një viroze nga e cila u shtrua në terapi prej 30 dhjetorit.

Mediat greke raportojnë se 24 orët e ardhshme janë kritike për Janullatos. Newsbomb.gr raporton se ai ndodhet në spitalin Evangelismos ku u dërgua me avionin e forcave ajrore greke prej ditës së premte, 3 janar 2025.

Gjendja e tij shëndetësore, konsiderohet e qëndrueshme dhe monitorohet nga afër nga ekipi mjekësor i Spitalit nën drejtimin e profesoreshës së Pulmologjisë dhe Mjekimit Intensiv, Anastasia Kotanidou. Fillimisht mediat greke raportuan se gjendja e tij ishte kritike, por që më pas ka rezultuar se Janullatos po trajtohej në pavijon të thjeshtë dhe jo në atë intensiv.

“Fortlumturia po i nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme mjekësore dhe merr kujdesin e duhur”, raporton media greke.

Avioni me Kryepeshkopin e Shqipërisë Anastas u ul në orën 19:34 në aeroportin ushtarak të Elefsinës. Më pas është bërë transferimi i tij i menjëhershëm nga Njësia EKAB në spitalin “Evangelismos”, ku po trajtohet, ndërsa prej ditës së djeshme dhe i është nënshtruar një sërë analizash laboratorike.

“Sipas informacioneve, kryepeshkopi Anastas po trajtohet në një pavijon të thjeshtë në katin e 10-të dhe jo në Intensiv, siç u bë e ditur fillimisht, ndërsa profesoresha e Pulmologjisë dhe Mjekimit Intensiv Anastasia Kotanidou së bashku me ekipin e saj është kujdesur për të. Në të njëjtën kohë ai po i nënshtrohet analizave laboratorike në mënyrë që mjekët të vendosin për trajtimin e tij. Kryepeshkopi i Tiranës nuk është i intubuar. Ai vuan nga një infeksion respirator dhe gjakderdhje gastrointestinale”, shkruan ndër të tjera Newsbomb.gr.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb