Nuk e di përse, por ndoshta si pakkush në Shqipërinë tonë fatkeqe që  vetëm dy tërmetet e fundit (të 21 shtatorit e të 26 nëntorit)  kishte mangët, iu përkushtova njëkohësisht me kërshëri zbavitëse dhe me seriozitet zhbirues vëzhgimit të fjalëve, lëvizjeve, gjesteve dhe mimikës së Kryeministrit Rama; rrjedhimisht nxora disa përfundime, të cilat i plotësova  duke i përmirësuar nën dritën e analizën interesante që intelektuali Ylli Manjani i bënte figurës së Kryeministrit Rama para disa ditësh me rastin e tërmeteve të lartpërmendura, që na shkundën fizikisht, mendërisht e shpirtërisht si popull.

Me të drejtë, Ylli Manjani vërente se Kryeministri na u paraqit së pari si viktimë e tërmeteve, së dyti si viktimë e lajmeve të rreme, së treti si vendimmarrës, së katërti si rindërtues dhe së pesti si shpëtimtar i shqiptarëve. Ai na u shfaq, pra, me shumë fytyra për arsyen e thjeshtë, por të pakundërshtueshme, se ngulmonte të luante disa role.

Po, po, disa role, të nderuara lexuese dhe të respektuar lexues të kësaj rubrike të përjavshme, lidhur sidomos me situatën e përvajshme ku ndodhemi sot. Këto role, pra, më shtynë të arrija në përfundimet e mëposhtme: Meqenëse Kryeministër Rama, në rininë e tij të hershme, nuk arriti të bëhej një basketbollist aq i shkëlqyer sa t’i eklipsonte të tjerët, meqenëse ai nuk arriti të bëhej piktor aq i famshëm sa t’i eklipsonte të tjerët, dy drejtime këto ku kishte ushqyer, me sa dukej, iluzione donkishoteske, ai u improvizua si politikan, pasi e kuptoi se të merresh me politikë do të thotë: 1) Të sillesh me kundërshtarët e tu duke pasur parasysh se një ditë mund të të duhet, siç thoshte Voltaire-i, filozof frëng i shekullit XVIII, të merresh vesh me ata për të bashkëqeverisur, por edhe të sillesh me aleatët e tu duke pasur parasysh se një ditë mund prishesh me ata, pa harruar thënien e d’Alembert-it, një tjetër filozof frëng i të njëjtit shekull, sipas së cilës “Politika është arti i të mashtruarit të njerëzve”.

Këto aksioma, pra, Edi Rama i vuri vathë në veshë e gozhdë në tru për t’i zbatuar në praktikë duke luajtur rolet e nevojshme që të ngjitej triumfalisht i vetëm në majën e pushtetit aq të ëndërruar.

Ah, sikur të mos kishte humbur tëra ato vite dhe tërë ato energji me basketbollin dhe pikturën, ah sikur të kishte studiuar që në fillim për aktrim, ai me siguri do t’ia kishte kaluar edhe vetë Aleksandër Moisiut dhe do të kishte korrur një sukses të paparë në teatrot e kryeqyteteve europiane! Por, megjithatë, siç e shohim çdo ditë, dhuntitë e tij aktoreske po i shërbejnë në karrierën politike ku kërkon me çdo kusht të shkëlqejë, veçse, fatkeqësisht, si një diell i zi.

Mjeshtëria me të cilën ai nisi t’i luante rolet në fjalë nuk e di përse më solli pa vonuar ndërmend një perëndi romake, emrin e së cilës e mban sot si titull shkrimi që po lexoni, o lexueset e lexuesit e mi të vëmendshëm. Janusi (detyrimisht me “j” në fillim, sepse pa “j” ndoshta do të na binte një tjetër tërmet…), sipas të dhënave që na ofron bujarisht dhe objektivisht zoti Internet, paskësh qenë një perëndi me dy fytyra, me njërën të kthyer nga e kaluara, me tjetrën të kthyer drejt së ardhmes; gjithashtu ai paskësh qenë perëndia e çelësave dhe e portave, e së shkuarës dhe e së ardhmes, e zgjedhjeve dhe e udhëkryqeve, e zanafillave dhe e përfundimeve.

Nga ana tjetër, Ovidi, poeti i famshëm latin, shkruante që Janusi (detyrimisht me “j” në fillim, sepse pa “j” ndoshta do të na binte një tjetër tërmet…) ishte me dy fytyra ngaqë ushtronte pushtetin e tij mbi qiellin, mbi detet dhe mbi tokën, që ai ishte i lashtë po aq sa vetë bota, që gjithçka hapej e mbyllej sipas dëshirës së tij; vetëm ai e qeveriste hapësirën e pafund të Gjithësisë… Pas gjithë këtyre që sapo lexuat, a nuk mendoni edhe ju, lexueset dhe lexuesit e mi të arsyeshëm, se patjetër vetëm emri i Janusit (detyrimisht me “j” në fillim, sepse pa “j” ndoshta do të na binte një tjetër tërmet…) mund e duhej të më vinte medoemos ndër mend si sinonim i Kryeministrit Rama?

Mirëpo, mjerisht, ky pushtet absolut i Kryeministrit Rama paska haraçin e vet: Me sa duket, ai vuan, si gjithë të ngjashmit e tij pararendës, nga sindroma e Hubrisit, pra, nga sëmundja e pushtetit, aq karakteristike për udhëheqës të tillë si ky apo ai perandor romak, ky apo ai faraon egjiptian dhe, më pranë nesh, si Hitleri, Musolini, Frankoja, Stalini, Mao Ce Duni apo Enver Hoxha.

Gjithsesi, Janusi ynë kombëtar mund t’i shpëtojë sindromës së Hubrisit – siç ma sugjeruan disa psikologë e psikiatër me përvojë – falë psikodramës, një terapi nga fusha e psikoterapisë së sjelljes.

Ç’është psikodrama? Bëhet fjalë për një skeç ose një pjesë teatrore aspak të ndërlikuar, gjatë së cilës të prekurit nga një neurozë çfarëdo, sigurisht nën drejtimin e kryeterapistit ose të një grupi bashkëterapistësh, duhet të luajnë radhazi në skenë rolin e vetvetes, atë të prindërve apo të çdo personi tjetër me të cilin kanë pasur ose kanë marrëdhënie, duke nxjerrë në pah problematikën e tyre. Sikur t’i nënshtrohej seriozisht psikodramës (trajtim që mund të zgjasë të paktën deri në një vit),

Kryeministri Rama do të hynte në historinë e politikës shqiptare (dhe jo vetëm) si i pari burrë shteti që do të jepte shembullin vetjak sesi një pushtetar i plotfuqishëm do ta kapërcente sindromën e Hubrisit dhe, si pasojë, do të pushonte së qeni një Janus (detyrimisht me “j” në fillim, sepse pa “j” ndoshta do të na binte një tjetër tërmet…).

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb