Janë të paktë të rinjtë në Shqipëri që nuk lakmojnë të ikin nga vendi. Edhe pse shumë prej tyre vijojnë të qëndrojnë në vend për shkak të pamundësive për të emigruar, dëshira për të ikur është e madhe. Por përballë gjithë kësaj dëshire ikëse qëndron Jeta, një vajzë që pasi ka jetuar për 5 muaj në Spanjë vendosi të kthehej sërish në atdhe.



“Jeta jashtë shtetit nuk është fushë me lule”, rrëfen jeta. Ajo vijon më tej rrëfimin e saj ku shpjegon të gjitha vështirësitë e pamenduara që shpesh të rezervon jeta jashtë vendit.


“U largova sepse në atë periudhë të jetës sime doja të gjeja diçka më interesante seç më ofronte Shqipëria, isha pak e ngarkuar emocionalisht dhe kisha nevojë për një shkëputje nga ajo çka më rrethonte. Jashtë prisja të gjeja më shumë ngjyra nga ç’shihja këtu në Shqipëri, mendoja se do të isha më e pavarur ekonomikisht dhe mendoja se do vazhdoja një shkollë që do më plotësonte më shumë se shkolla në Shqipëri. Nuk është fushë me lule, madje është shumë e vështirë. Kur je këtu në Shqipëri dhe mendon që do të shkosh jashtë thua “e ça ka, të gjithë e bëjnë pse të mos e bëj edhe unë”, por kur shkon atje kupton që ta nisësh nga zero është një mund shumë i madh dhe duhet të mendohesh mirë para se ta ndërmarrësh atë veprim”, tha Jeta për mikrofonin e Trending.