Post “Euro2024” ri gjen Jasir Asanin, “sallaksin” kuqezi, si titullar dhe për më tepër në super formë. Pasi vendosi paqen me drejtuesit e klubit, Asani po udhëheq ekipin e tij Gwangju, duke gjetur rrugën e rrjetës në mënyrë konstante.

Në takimin e fundit këtë fundjave, kundër kryesuesve të Gangwon, Jasir Asani gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 15-të, teksa u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, një ekzekutim perfekt.

Asani ishte sërish protagonist në minutën e 22-të, ku një kros i tij në zonë gjeti devijimin duke përfunduar në rrjetë, për fat të keq, ku episod u vlerësua si autogol. Avantazhi i dyfishtë nuk i shërbeu ekipit të tij për të dalë qoftë dhe me një pikë nga kjo transfertë, pasi kryesuesit e Gangwon përmbysën gjithçka duke realizuar tre gola.

Forma e mirë e Jasir Asanit është një lajm i shkëlqyer për trajnerin Sylvinho përpara startit të Ligës së Kombeve më 7 shtator, në transfertë kundër Ukrainës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb