Artisti me famë ndërkombëtare, Jason Derulo, ka mbërritur në Tiranë ku sonte do të elektrizojë skenën duke dhuruar një spektakël në stadiumin “Selman Stërmasi”. Një mundësi unike për të parë një nga emrat më të mëdhenj të muzikës pop dhe R&B me hitet më të njohura dhe një performancë të paharrueshme.
“Është një show shumë i mirë, kam kërcimtarët dhe muzikantët më të mirë me vete. Është një show i vërtetë dhe performimi është art, por ajo që kemi krijuar është shumë e veçantë. Dhe shumë ndryshe nga çdo performancë që bëhet tani. Interpretojmë të gjitha hitet edhe më të vjetrat, dhe këngët e reja, që nga 2009 deri në 2020”, tha Derulo.
Në konferencën e mbajtur para gazetarëve në Tiranë ai foli për Rita Orën dhe Bebe Rexhën
“Me Ritëm kemi punuar, kemi qenë në “The Voice” bashkë, kemi kaluar kohë shumë të mirë bashkë. Tani që erdha këtu mësova se si thuhet tamam emri i Bebe Rexhës dhe do e thërras si duhet. Nuk kam pasur bashkëpunime me këngë me asnjërën, po ku i dihet, me këngën e duhur, dhe bashkëpunimin e duhur, do isha i lumtur të punoja me artistët shqiptarë”, shtoi ai.
Jason Derulo, i njohur për hitet globale si “Want to Want Me,” “Talk Dirty,” dhe “Savage Love”. Performancat e tij janë të famshme për energjinë e lartë, kërcimet mbresëlënëse dhe vokalet e fuqishme.