Sot nis Java Botërore e Imunizimit e cila zhvillohet çdo vit në javën e fundit të prillit, duke promovuar dhënien e vaksinave për t’i mbrojtur personat e të gjitha moshave nga sëmundjet.

Udhëhequr nga UNICEF-i dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, tema e Javës Botërore të Imunizimit për këtë vit është “Imunizimi për të gjithë është diçka e arritshme”.

Java Botërore e Imunizimit 2025 synon të sigurojë që edhe më shumë fëmijë, adoleshentë e të rritur të mbrohen kundër sëmundjeve të parandalueshme me vaksina.

Gjatë 50 viteve të fundit, vaksinat thelbësore kanë shpëtuar të paktën 154 milionë jetë, ose 6 jetë në minutë, çdo ditë, për pesë dekada.

Në këto 50 vjet, vaksinimi ka sjellë një rritje me 40% te mbijetesës së foshnjave. Vetëm vaksina e fruthit përbën 60% të jetëve të shpëtuara.

“E ardhmja e imunizimit do të thotë jo vetëm arritjen e miliona fëmijëve që nuk kanë marrë kurrë një vaksinë të vetme, por mbrojtjen e gjyshërve nga gripi, foshnjat nga malaria dhe RSV, nënat shtatzëna nga tetanozi dhe vajzat e reja nga HPV”, shkruan OBSH në faqen e saj zyrtare.

Vaksinat janë një nga arritjet më të avancuara të shkencës moderne, me ndihmën e të cilave është arritur që të përgjysmohet vdekshmëria e fëmijëve dhe të shpëtohen miliona jetë në botë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb