Një koncert me muzikë të shkruar nga një kompozitor shqiptarë është mbajtur në Tiranë. Nën titullin “Muzike për njerëz te thyer”, ai ju kushtohet fateve të trishta njerëzore të shqiptarëve në diktaturë.
Tinguj të frymëzuar nga histori të dhimbshme të jetës së shqiptarëve në diktaturë, janë interpretuar në Liceun artistik. Koncerti i kompozuar nga Mardit Lleshi, e merr titullin nga fatet njerëzore dhe vjen me emrin “Muzikë për njerëz të thyer”
“Koncerti është një përmbledhje pjesësh që tregon rrugëtimin, nga hyrja e sistemit komunist deri ne ardhjen e pluralizmit politik, ka një lloj kronologjie”, thotë kompozitori.
Koncerti erdhi si pjesë e javës zvicerane të kulturës, që duke ju dhënë mbështetje për të prekur skenën artistëve shqiptarë, synon, që përmes kulturës, të nxisë dialogun për të djeshmen e të sotmen dhe reflektimin mbi të pamundurit apo të drejtat e njeriut në mënyrë që të arrihet kohezioni e paqja sociale.
“Frymëzimi vjen nga historia dhe historisë personale. Disa histori janë të rënda. Ka shumë për të treguar për sistemin. Interesantë janë edhe ata që kanë marrë të mira nga ai sistem, por e kanë kuptuar që nuk kane qenë i duhuri. Ka njerëz që kanë jetuar mirë dhe nuk kanë empati”, vëren kompozitori i koncertit.
Tingujt e thyerjes vijnë më mirë përmes harqeve që ju japin zë, heshtjeve të shumta në kohët e shtypjes apo ato injorimit në kohë lirie.