Shkarkimi i Thiago Motta-s ishte një dështim shumë i madh, një shkarkim me një kosto shumë të lartë financiare, por dhe sportive. Drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” morën përsipër një faturë shumë të lartë, por tani shpresojnë që me Tudor në stol të shpëtojnë atë që ka mbetur, të sigurojnë një vend në Champions League sezonin e ardhshëm. Igor Tudor zbarkoi në Torino të hënën ku zhvilloi dhe seancën e parë stërvitore.

Objektivi kryesor i Tudor është të rikthejë harmoninë në skuadër, më saktë t’i bëjë lojtarë të kuptojnë se për kë luajnë, kë klub përfaqësojnë: “Jemi Juventus, ta tregojmë në fushë që jemi të denjë për këtë fanellë”, mësohet t’i këtë thënë trajneri lojtarëve.

I pranishëm gjatë prezantimit të tij ishte edhe drejtori sportiv, Giuntoli. Jashtë Champions League dhe jashtë Kupës së Italisë, Juve dhe Tudor do të bëjnë gjithçka për të kapur vendin e katërt në Serie A, një objektiv jo shumë i vështirë pasi Bologna është vetëm një pikë larg.

“Terapia e Tudor”, shkruan Corriere dello Sport në faqen e parë. Ndërsa La Gazzetta zbulon planin e tij për debutimin në krye të Juves, ku me sa duket trajneri i ri pritet të mbështet te Vlahovic. Sfida e parë e tij në krye të “Zonjës së Vjetër” do të jetë ajo kundër Genoa-s.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: