GJIROKASTËR

Kunati i Konstandinos Kacifas, Evangelis Sakellarakis ka dhënë një prononcim për gazetarët pas mbylljes së ceremonisë për nder të të ndjerit. Gazetarja Brikena Metaj tha se nga Bularati ku ndodhej, ai ka pasur edhe një mesazh për dy kryeministrat e Shqipërisë dhe Greqisë.

Ndonëse për një ceremoni familjare përkujtimore, Sakellarakis nuk ngurroi të fliste për politikë. Ndryshe nga sa ka ndodhur realisht, ai mohoi që në ceremoninë mortore për Kacifas janë hedhur parulla e thirrje anti shqiptare. Madje ai deklaroi se as Kacifas nuk është drejtuar asnjëherë kundër një shqiptari.

Por greku Sakellarakis në intervistë tha se Shqipëria dhe Greqia janë një familje dhe se Turqia është ajo që po nxit përplasje mes dy vendeve. Ai iu bëri thirrje Ramës dhe Cipras të gjejnë një gjuhë të përbashkët.

Çfarë problemi keni pasur?
Personalisht nuk kisha asnjë problem, por kishin problem të tjerët, kishin shumë probleme. Në 10 veta, 8 u kthyen mbrapsht.

Përse mendoni se ka ndodhur kjo gjë, për sa kohë ju vetën uk kishit probleme?
Unë e kuptoj që në të dy anët e kufirit ekzistojnë njerëz që nuk duan miqësinë mes dy popujve, por unë kam një mesazh për t’i transmetuar popullit dhe drejtuesve të shteteve nëpërmjet jush, që e ardhmja jonë është Evropa. ne duhet të bashkëpunojmë, ne duhet të kemi flamurin tonë, ju duhet të keni flamurin tuaj, ne duhet të kemi besimin tonë, ju duhet të keni besimin tuaj por ama duhet ta shikojmë veten të lidhur bashkë dhe në bashkëpunim me njeri-tjetrin.

Me këto që thoni, do të thotë se ju nuk jeni dakord me thirrjet anti-shqiptare që u hodhën në ceremoninë për Kacifas?

Parulla anti shqiptare nuk u dëgjuan, u dëgjuan parulla të tjera. Por u dëgjuan nga të dyja anët. Ne duhet t’i ndalojmë ato. Edhe Konstandino të njëjtën gjë ka thënë, nuk është drejtuar asnjëherë kundër një shqiptari. Edhe kur mamaja e tij i tha që çfarë po bën, do të vrasin, tha që nuk më vrasin se edhe policët fëmijë kanë dhe marrin një rrogë shumë të vogël në muaj. Pra, dhe Konstandinos nuk shfaqi qëndrime të kësaj natyre.

Dua t’i lutem kryeministrit tuaj zotit Rama dhe kryeministrit tonë zotit Cipras të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të kapërcyer këto probeleme. Ne duhet të jemi bashkë, ne duhet të punojmë bashkë dhe duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët.

Dua t’ju them dhe diçka tjetër, është se Turqia në rastin konkret nuk ndihmon miqësinë mes dy popujve. Ne dhe Shqipëria jemi një familje dhe familja i zgjidh problemet brenda vetes dhe nuk pret ndihmën e të tretëve. Në këtë rast Turqia nxit përplasjen mes nesh. Dua të them edhe diçka të tjetër, vetëm të vërtetën. Ju e patë që këtu nuk ndodhi absolutisht asgjë por ishte e papranueshme dhe e dënueshme ajo që ndodhi me policinë e cila ndaloi dhe ktheu gjithë ata njerëz që donin të vinin sot këtu, do shkonin dhe në Gjirokastër, do kontaktonin me njerëz, do lidheshin dhe kjo lidhje do ndihmojë për njohje të mëtejshme dhe bashkim të mëtejshëm. Unë i them këto me shumë sinqeritet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb