Mbas gati 2 vitesh, në fjalën e tij në Takimin e Dytë të Nivelit të Lartë të organizuar nga nga Kuvendi i Shqipërisë në Tiranë më 3 Prill “Shqipëria më 2030 në BE” kryeministri Rama iu rikthye marrëdhënieve tona me perandoritë e ndryshme, si marrëdhënie simpatie apo dhe besnikërie ndaj tyre. Sipas tij, vendi ynë paska qenë i fundit që është larguar prej tyre, madje vetëm kur perandoritë janë vetëshkatërruar, siç ndodhi, gjithnjë sipas tij dhe me largimin nga Perandoria Ottomane! Duke e trajtuar dhe BE-në si një “perandori”, Rama i dha prapë “fjalën e besës” Brukselit se ne do jemi me ta deri në fund, madje dhe kur BE-ja mund të mos ekzistojë më!

Mirëpo dhe këtu si në disa raste të tjera ai gabon  në shumë aspekte historike dhe aktuale, duke i “ hyrë në hak” histories, sjelljes politike dhe qëndrestare të popullit tonë. Faktet tregojnë se qysh në lashtësinë e tyre, shqiptarët, si popull edhe pse jo detyrimisht rregjimet tona qeveritare i kanë kundërshtuar me të gjitha mjetet në dhe në të gjitha kohërat të gjitha perandorive. Mirëpo, çuditërisht, Kryeministri Rama, i cili ka kohë që po mundohet të bëjë dhe historianin, ndonëse kjo duket se është pika e tij më e dobët dhe pse kemi historianë brilantë “shkel në dërrasë të kalbët” duke i mohuar ose shtrembëruar dhe realitetet e pakundërshtueshme historike.

Mesa duket, këtë tezë të gabuar dhe të rrezikshme ai po e rihedh në tregun politik dhe mediatik në kontekstin e demarsheve më të fundit pozitive mbas vonesave dhe dështimeve, kryesisht për fajin tonë në procesin e çeljes së negociatave me BE-në.

Në vijim të shumë epiteteve, alegorive, batutave dhe analogjive me nuse, krushqi dhe dhëndurë me këtë fakt të rremë historik ai rreket të bindë BE-në që të na anëtarësojë sa më shpejt; me garancinë  se ashtu si perandoritë e mëparshme, ne do të jemi të fundit që do të dalim nga “vatha” europiane; madje do t’i ndodhemi pranë dhe sikur ajo të shembet, siç e tha në Davos me 18 Janar 2023 dhe tani së fundmi në Tiranë! Duke qenë si “i shtëpisë diplomatike në Bruksel për gati 2 dekada, e di mirë se kjo narrativë “ përkëdhelëse” as i  hyn, as i prish dhe as i ndreq punë BE-së!

Mbi të gjitha se ky pohim është tejet i parakohshëm, mbasi  ne ende nuk i kemi çelur të 6 grupkapitujt, gati 3 vjet mbas fillimit të negociatave; dhe kur pavarësisht objektivit të guximshëm “Shqipëria 2030 në BE”  askush, as  në Bruksel, Paris, Berlin dhe ca më pak në Tiranë nuk mund ta thotë dot se kur mund të përfundojnë këto negociata! Sepse mendoni, pritëm jo pak, por 11 vite me statusin “kandidat”, ndërsa tani hallet dhe telashet tona janë dhe më të mëdha. Ndaj dhe modeli i pasaportës  europiane që na e tundin gjithandej më shumë të kujton thënien e urtë “peshku në det, tigani në zjarr”!

Por më mirë, le të freskojmë sado pak me fakte të njohura kujtesën historike, për të dëshmuar, se krejt ndryshe nga sa thotë Kryeministri Rama, shqiptarët, me përjashtom të ndonjë pakice të mashtruar se kompromentuar qeveritare  asnjeherë në historinë e tyre mijra vjeçare nuk kanë ushqyer simpati dhe pëlqim për perandoritë; përkundrazi, ata kanë qenë të parët që janë ngritur me armë dhe fuqinë e mendjes e të shpirtit kundër tyre, duke dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme në raport me madhësinë e territorit dhe popullsisë për shembjen e tyre. Nëse fati për ta ka qenë i vonuar, fajin për këtë kërkojeni gjetkë, por  aspak të aludimet për simpatinë dhe bashkëjetesën tonë më perandoritë, diktaturat dhe totalitarizmin e çdo ngjyre dhe kallëpi.

Më konkretisht, duke lenë mënjanë epokën e lashtë romake, mbasi dihen tashmë luftrat e mëdha të ilirëve ndaj tyre me heronjtë tanë mitikë le ta fillojme me  Perandorinë Osmane. Po, ajo vërtet e sundoi vendin tonë me grusht të hekurt për afro 5 shekuj. Ama kjo jo se e pranuam ne, apo se na pëlqente sundimi Otoman, as si Perandori dhe as si ideologji! Vërtet që e shpallëm Pavarësinë më vonë se vendet e tjera, dhe kjo jo  se nuk deshëm, as se munguan veprimet tona politike, diplomatike dhe luftarake; por për shkak të forcës e mundësive tona dhe padrejtësive të njohura të Perandorisë Osmane dhe fuqive të tjera të mëdha.

Mirëpo dhe ngritja e flamurit nga Plaku i Urtë Ismail Qemali me shokë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 nuk erdhi ashtu brenda natës; shpallja e pavarësisë sonë u parapri nga plot ngjarje të tjera të mëdha shteformuese me jehonë të madhe ndërkombëtare. Këtu padyshim shkëlqen historia e lavdishme e rezistencës fitimtare 25 vjeçare nën udhëheqjen e Skënderbeut kundër osmanllinjve, kur dhe u krijua shteti i parë i pavarur shqiptar më 28 Nëntor 1443. Eshtë pranuar gjerësisht se falë atyre luftrave epike, Skënderbeu mbrojti Atdheun, qytetërimin europian dhe Krishterizmin perendimor.  E çuditshme se si dhe pse Kryeministri ynë nuk e përmend këtë moment dhe monument madhështor historik shqiptar!

Në vijim, edhe pas vdekjes së Skënderbeut, populli ynë vazhdoi rezistencën heroike në të gjitha format, me sloganin emblematik ”me pushkë dhe penë për mëmëdhenë”. Përmendim këtu  Lidhjen e Prizrenit dhe veprimtarinë e delegacionit të saj  në Kongresin e Berlinit në Qershor 1878, plejada historike e patriotëve të Rilindjes sonë kombëtare që iu kundërvunë Perandorisë Osmane, si Pashko Vaso,  vëllezërit Frashëri, Çajupi, Noli, Gurakuqi, Dhaskal Todri, Bajram Curri, Mihal Grameno, Isa Boletini, Mic Sokoli dhe shumë të tjerë.

Për të arritur te « trinomi i shenjtë » i arsimit dhe kulturës sonë, siç e quan në librin e tij më të ri  personaliteti ynë i nderuar, Profesor Aziz Polozhani  – hapja e Mësonjtores së parë shqipe më 7 Mars 1887 në Korçë, Kongresi i Manastirit më 14 – 22 nëntor 1908 dhe çelja e Normales në Elbasan 1 Dhjetor 909 të përmbyllura me kryengritjet kundër xhonturqve më 1911 – 1912. Kjo është e vërteta me Perandorinë Osmane, të cilën populli ynë, le ta përsërisim, jo vetëm që nuk priti  “të vetëshkatërrohej” por ai rrëmbeu kudo armët dhe malet kundër saj.

Sa për Perandorinë Italiane, dihet se veç kolaboracionistëve që i gjen në çdo vend dhe ato më të zhvilluara, nuk gjen një rast tjetër të vetëm që tregon mbështetjen, por kundërshtimin e hapur e të armatosur qysh në fillimet e veta. Rikujtojmë se në Qershor 1920 filloi Lufta e lavdishme e Vlorës, kur Selam Labi me 300 trimat e tij zbritën nga Babica dhe i hodhën në det italianët me kushtrimin emblematik të poetit Ali Asllanit ” Vlora, Vlora, bëja fora” ! Këtë fitore ata e përsëritën dhe  në Betejën e famshme të Drashovicës më 15 shtator –  4 Tetor 1943  dhe deri në kapitullimin e Italisë fashiste. Po atentati i të riut 19 vjeçar Vasil Laçi më 17 Maj 1941 në mes të bulevardit ndaj Perandorit Viktor Emanuel çfarë ishte?

E tepërt të zgjatemi te historia e njohur e luftës ndaj nazistëve gjermanë. Po, vërtet që ata u mirëpritën nga bashkëpuntorët e tyre të brendshëm, nga qeveri kuislinge jetëshkurtëra, por kudo gjetkë ata u ndeshën me rezistencën e popullit në të gjitha drejtimet. Këtë ndihlesë heroike e njohu  Konferenca e Paqes në Paris më 1946 dhe aleatët tanë perendimorë, pavarësisht nga divergjencat politike dhe ideologjike të mëvonshme. Tjetër gjë pastaj sistemi politik që u vendos në Shqipëri.

Pa hyrë në aspektet ideologjike, e njëjta histori ndodhi dhe me Perandorinë Sovjetike, po ta quajmë kështu, sepse në fakt e tillë ishte, një bashkim i imponuar, me forcë, me dhunë. Në fund të fundit, pavarësisht nga shkaqet dhe motivet, ne ishim të parët madje të vetmit nga lindja që u ndamë me ta qysh në vitin 1961. Por dhe në këtë rast, pse të mos e themi, ne ramë viktimë e lojës së fuqive të mëdha që na lanë me lindjen; dhe ndonëse rregjimi monist për qëllime oportuniste i pranoi, dihet se populli në masë nuk kishte simpati për ta.

Duke iu referuar BE-së, atë mund ta quajmë “ për lehtësi studimi” Perandori, por dhe kjo vetëm në kuptimin figurativ, nisur gna madhësia gjeografike dhe pesha ekonomike, ashtu siç mund të quhen dhe SHBA-të, por jo më tej. Në fakt sidomos në përmbajtjen, vlerat, parimet dhe interesat e tyre, BE-ja, ashtu si SHBA-të nuk kanë fare ngjashmëri as me perandorinë më të përparuar në të kaluarën.

BE-ja nuk është perandori sepse  ndryshe nga Perandoritë e mëparshme dhe ish Bashkimi Sovjetik, ajo u krijua pa asnjë krismë pushke, pa detyrim dhe imponim, si bashkim vullnetar, si domosdoshmëri e shmangies së luftrave dhe tragjedive të kaluara, për paqe, begati dhe demokraci. Krahas institucioneve supranacionale, si Komisioni, Këshilli dhe Parlamenti Europian, aty çdo shtet ka qeverinë dhe parlamentin e vet të pavarur; po, vërtet ato kanë dorëzuar një pjesë të sovranitetit, por në këmbim të një integriteti dhe hapësire shumë më të madhe politike, ideologjike dhe ekonomike; mbi të gjitha BE- ja është model i  demokracise dhe shtetit të së drejtës.

Dallim tjetër shumë i madh me perandoritë është se BE-ja nuk të detyron dhe të imponon të hysh në atë bashkim apo me forcën e armëve; ajo nuk ka shtrënguar askënd  as të hyjë dhe as të dalë. Vendet ish lindore dhe Shqipëria  kanë 35 vjet që janë lutur vetë dhe nuk “kanë lënë gur pa lëvizur” që të anëtarësohen në BE. Faktet flasin vetë:  nga 6 më 1958, tani janë 27 vende antare plus 10 kandidate! Vetëm Britania e Madhe guxoi të dalë prej saj, por tani është bërë pishman; sondazhet më të fundit tregojnë se 2/3 e njerëzve duan të rihyjnë në BE; edhe pse kjo duket tejet e vështirë tani për tani, rëndësi ka që Londra i është rikthyer bashkëpunimit të privilegjuar me të dhe vendet e saj anëtare.

Së fundi, ndryshe nga Perandoritë, BE-ja është e ndërgjegjshme për gabimet dhe dështimet e saj; ajo po punon për korigjimin e tyre me reforma të vazhdueshme në të gjitha fushat;  ndaj besohet fort se do të mbijetojë sepse,  siç e ka profetizuar emblematiku Shuman, ”BE forcohet nëpërmjet kapërcimit të krizave, si shumatore e alternativave për zgjidhjen e tyre”. Ndërsa perandoritë e dikurshme  i injoruan gabimet e tyre, “fjetën mbi dafina” dhe kjo çoi në shembjen e tyre.

Shkurt hesapi, BE-ja nuk është as Perandori, as krushqi, as dhëndër e as nuse, ajo është bashkim i madh vlerash, parimesh dhe interesash  universale.

Në fakt, prova dhe dëshmia se e duam BE-në më shumë se kushdo tjetër  nuk janë pohime dhe referenca të tilla ta gabuara historike dhe poetike, sado tërheqëse qofshin, por puna dhe përpjekjet për t’iu afruar sa më shumë dhe sa më shpejt drejt saj, duke vepruar në përputhje me ligjet përkatëse, por jo me projekte që bien ndesh me frymën dhe gërmat e BE-së! Dhe jo siç e tha me të drejtë Kryeministri, duke e parë BE-në thjesht si bankomat! Gjithashtu, përpara se të moralizojmë me batuta dhe barcoleta “pa kripë” apo dhe t’i japim mend Brukselit dhe të 27 vendeve të tij anëtare, le të bëjmë mirë dhe në kohë “ detyrat e shtëpisë”!

Së fundi, tani ”topi është prapë në “zonën tonë të rreptësisë”, të gjithë në Bruksel, Paris, Berlin dhe gjetkë do të shohin se si do ta luajmë ne atë, pastër dhe ”pa faulle” dhe mbi atë bazë kur të vijë momenti i duhur do të japin gjykimin e tyre përfundimtar! E kush nuk do që 2030 të na gjejë në BE! Mirëpo  kjo nuk arrihet me konferenca, deklarata, stërbetime besnikërie ndaj ” perandorive” dhe ca më pak me slogane, karamele, tollumbace zgjedhore dhe modele pasaportash europiane por me angazhim serioz për zbatimin e reformave, në radhë të parë dhe mbi të gjitha nga qeveria, e cila mban përgjegjësinë kryesore  dhe pastaj nga gjithë ne të tjerët!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb