Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në prag të ditës së ndërrimit të viteve, ka takuar mjekët dhe infermierët e Spitalit Infektiv, për t’iu shprehur mirënjohjen për punën dhe sakrificën e tyre në gjithë këto muaj të vështirë të përballjes me pandeminë.
Ministrja Manastirliu tha se në Janar do të fillojë rehabilitimi i Spitalit Infektiv, për ta kthyer në një qendër ekselence të shërbimit infektiv.
“Sfida e rradhës është projekti ynë i madh, është projekti i rehabilitimit të Spitalit Infektiv, për ta bërë këtë spital një qendër ekselence të shërbimit infektiv kombëtar dhe për t’i dhënë këtij spitali atë transformim dhe modernizim të nevojshëm, në mënyrë që të ecim me hapin e kohës dhe ndërkohë të kemi mundësi që kjo qendër ekselence, edhe nëpërmjet teknologjisë, edhe nëpërmjet infrastrukturës, të ofrojë akoma më shumë”, tha Manastirliu.
Duke folur për organizimin që do të bëhet për të transferuar pacientët aktualë të spitalit infektiv apo rastet e shtuara, Manatirliu bëri me dije se janë parashikuar të gjithë skenarët sipas një plani të mirë detajuar.
“Ne kemi bërë një plan të mënyrës se si do ta organizojmë shërbimin në momentin që do të fillojë rehabilitimi i këtij spitali. Kemi disa skenarë. Kemi punuar fort në mënyrë që të krijojmë mundësinë e pritjes së rasteve të urgjencës nëpërmjet triazhimit në urgjencën kirurgjikale këtu në QSUT, ku tashmë ka filluar që qytetarët për rastet e urgjencës kirurgjikale të trajtohen në dy spitale, Spitalin e Traumës dhe në Spitalin “Shefqet Ndroqi”. Ndërkohë që gradualisht jemi duke u spostuar drejt spitalit Covid3 me të gjithë pacientët dhe sigurisht dhe për rastet e urgjencës, duke i triazhuar në njësinë e urgjencës qendrore në spitalin qendror, deri në momentin që ne të fillojmë dhe presim që muajin janar, të kemi një fillim të punës për rehabilitimin e Spitalit Infektiv. Sigurisht skenarët që ne kemi janë skenarë që të përballojnë edhe flukse të shtuara të rasteve. Kemi gati edhe spitalet rajonalë, që për të thënë të vërtetën nuk kanë reshtur asnjëherë nga puna duke triazhuar, duke u kujdesur për rastet e dyshuara, duke u kujdesur për rastet postcovid. Ashtu sikurse kemi edhe spitalin “Shefqet Ndroqi” në gatishmëri të plotë për trajtimin e rasteve postcovid por edhe për të përballuar çdo fluks të mundshëm që mund të rezultojë përgjatë muajve në vazhdim”, bëri me dije Manastirliu.
Gjatë takimit të fundvitit me stafin e spitalit Infektiv, Manastirliu foli dhe për procesin e vaksinimit duke apleuar qytetarët të vaksinohen sa më parë, edhe në kushtet e variantit të ri Omicron.
“Askush nuk ka dëshirë që ne të kemi rritje të rasteve të infektimit. Por këtë e kemi në dorë të gjithë së bashku për ta frenuar. Sistemi shëndetësor është në këmbë nëpërmjet gjithë rrjetit të vaksinatorëve për të mundësuar pikërisht vijimin e vaksinimit dhe rritjen e mbulesës vaksinale”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ka bërë një apel të gjithë qytetarëve, që gjatë festave të fundvitit, të tregohen të përgjegjëshëm për të respektuar masat e vendosura.
“Është e rëndësishme thirrja për të gjithë qytetarët që në këto ditë festash duhet të tregohemi të kujdesshëm; të kujdesshëm për të ruajtur dhe për të zbatuar protokollet që ne kemi; të kujdesshëm për të mos mundësuar qarkullimin e covid brenda ambienteve të mbyllura dhe duke siguruar që edhe në festat e vogla familjare që do të kemi në datën 31, të mundet që të jemi të vaksinuar dhe të garantojmë që askush të mos preket nga kjo sëmundje. Kjo është një përgjegjësi patjetër e institucioneve por është edhe një përgjegjësi individuale, është një përgjegjësi morale, është një përgjegjësi qytetare, është një përgjegjësi e shoqërisë në mënyrë që të ruajmë njëri-tjetrin, të mbrojmë shëndetin e njëri-tjetrit dhe të mbrojmë në tërësi shëndetin e gjithë qytetarëve tanë”. apeloi Manastirliu.
Duke uruar stafin e spitalit infektiv, Manatirliu shprehu mirënjohjen për punën dhe sakrificën e tyre në këto kohë të vështira.
“Ju jeni heronjt e vërtetë. Unë jam sot këtu mes jush që jeni simboli i luftës së pandemisë, që jeni simboli i mjekëve, infermierëve që po punoni pa reshtur. Dhe në këto ditë festash nuk jeni pranë familjeve tuaja, por jeni përsëri në shërbim të pacientëve këtu. Ashtu sikurse edhe të gjithë ekipet tona të urgjencave dhe shërbimeve të tjera në të gjithë spitalet e vendit. Më lejoni edhe njëherë t’ju shpreh mirënjohjen, respektin e thellë dhe padyshim edhe falenderimet nga Kryeministri për të gjithë punën, angazhimin tuaj dhe për t’ju dhënë edhe njëherë që ne jemi këtu për ju, me ju, në shërbim të njerëzve”, tha Manastirliu.
(BalkanWeb)