TIRANE
Vendosje e Unazës Gastrike me laparoskopi në një pacient të moshës 36 vjeç i cili vuante nga obeziteti morbid, ndërhyrje kjo e realizuar nga mjeku kirurg i përgjithshëm i Spitalit Hygeia, Dr. Erion Peçi.
Pacienti kishte një peshë trupore 124 kg & indeks të masës trupore (BMI) > 40, i cili e kishte të pamundur të humbte peshë pavarësisht përpjekjeve të shumta nëpërmjet aplikimit të një diete të shëndetshme ushqimore dhe ushtrimit të përditshëm të aktivitetit fizik. Pas konsultës paraprake, mjeku i rekomandoi vendosjen e unazës gastrike me qëllim fragmentimin e stomakut, si metoda më e tolerueshme & më efektive për rënien nga pesha.
Pse Unaza Gastrike?
Unaza gastrike është një metodë trajtimi kirurgjikale që ofron zgjidhje për pacientët obezë me BMI >35-40, të cilët e kanë të pamundur rënien nga pesha. Sajë vendosjes së unazës arrihet ajo që quhet ndryshe fragmentim i stomakut, pra, ngushtimi i një pjese të vogël të tij dhe që bën që pacientit t’i krijohet ndjesia artificiale e ngopjes në momentin kur ushqimi kalon fillimisht në ndarjen e sipërme të stomakut.
Ndryshe nga bypass gastrik, avantazhi i kësaj procedure konsiston në ruajtjen e intergritetit të stomakut dhe pikërisht për këtë arsye rekomandohet/aplikohet më së shumti nga mjekët specialistë.
Rënia e pritshme nga pesha pas vendosjes së Unazës gastrike është 20-30 kg, ndryshim ky që ndodh në mënyrë graduale, pra është më i sigurt dhe nuk dëmton pacientin. Gjithashtu, rënia nga pesha duke qenë fiziologjike, nuk shoqërohet as me varje të lëkurës.
Kjo ndërhyrje gjen aplikim gjithashtu edhe te pacientët diabetikë me BMI>35 pasi përvec rënies nga pesha, ndihmon edhe në normalizimin e glukozës në gjak.
(BalkanWeb)