Jennifer Lopez është e gatshme të nisë një lidhje të re pas divorcit nga Ben Affleck. Sipas një raporti të PageSix, ylli latin dëshiron të rifillojë jetën romantike vetëm dy muaj pas finalizimit të ndarjes me aktorin.

“Jennifer është gati të dalë sërish në takime dhe nuk ka reshtur së kërkuari dashurinë,” tha një burim pranë saj. “Miqtë e saj po e inkurajojnë të njohë dikë dhe ajo është padyshim e hapur ndaj kësaj ideje.”

Lopez thuhet se po shqyrton mundësinë e një lidhjeje jashtë botës së showbiz-it. “Ajo po mendon të takojë dikë jashtë syve të publikut, por nuk po i vendos asnjë kufizim vetes,” shtoi burimi.

Divorci i këngëtares 55-vjeçare u finalizua më 6 janar, ndërsa vendimi zyrtar hyri në fuqi më 21 shkurt, gjashtë muaj pas kërkesës fillestare për ndarje, e cila u bë pikërisht në përvjetorin e dytë të martesës së tyre.

Ndërkohë, duket se Ben Affleck po ecën në drejtim të kundërt, duke kaluar më shumë kohë me ish-bashkëshorten e tij, Jennifer Garner. Kjo ka nxitur spekulime për një ribashkim të mundshëm mes tyre. Megjithatë, as Lopez dhe as Garner nuk duket të kenë interes për këtë, pasi kjo e fundit është në një lidhje me John Miller që nga viti 2018.

“Do të thoja se të dy janë të lehtësuar që ka mbaruar,” tha burimi, duke shtuar se Affleck “është në një vorbull emocionale” dhe se së fundmi ai u përpoq të rilidhej me Jennifer Lopez.

Pavarësisht gjithçkaje, Jennifer Lopez dhe Jennifer Garner kanë ndërtuar një marrëdhënie të mirë, të bashkuara nga përvoja e tyre e përbashkët si nëna. “Nuk e kuptoj pse njerëzit ndjejnë nevojën t’i vënë këto dy gra kundër njëra-tjetrës,” komentoi burimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: