Ka dhënë dorëheqjen ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kim Darroch, pas përplasjeve në distancë me presidentin Donald Trump. Përmes një letre të drejtuar Zyrës së Punës, Darroch është shprehur se pas rrjedhjes së informacionit, ai s’mund të vazhdojë më tej detyrën.

“Që nga rrjedhja e informacioneve rreth dokumenteve zyrtare nga kjo Ambasadë, ka pasur shumë spekulime rreth pozicionit tim dhe kohëzgjatjes së mandatit tim të mbetur si ambasador. Dua t’i jap fund këtyre spekulimeve”

Lidhur me këtë ngjarje, Theresa May shprehu keqardhjen që Darroch ndjeu nevojën për të dhënë dorëheqjen, duke thënë se zyrtarët duhej të ishin në gjendje të japin “këshilla të plota dhe të sinqerta”.

Presidenti i SHBA, Donald Trump e quajti dje një “budalla të madh”, ambasadorin britanik pas daljes së disa email-eve ku ai e përshkruante Presidentin amerikan si një njeri “të paaftë” dhe “jofunksional”.

Ndër të tjera, në komunikimin me qeverinë e tij, ambasadori e cilësonte Trump një person që “rrezaton pasiguri” dhe që është “jokompetent”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb