Ndryshime në drejtimin e Autoritetit Portual Durrës. Liburn Aliu ka dhënë dorëheqjen nga detyra e Autoritetit Portual Durrës.
News24 mëson se Andrea Shllaku është emëruar në krye të Autoritetit Portual Durrës, duke zëvendësuar në këtë detyrë Liburn Aliun.
Pas pak më shumë se një viti në krye të APD-së, Liburn Aliu largohet nga institucioni, duke ia lënë postin një ish-zëvendësministri të Mbrojtjes, Andrea Shllaku, i cili për disa vite ka punuar pranë APD-së në pozicionin e Drejtorit të Kabinetit, në kohën kur ky institucion drejtohej nga Pirro Vengu.
Andrea Shllaku është me origjinë nga Shkodra, ndërsa drejtuesi i mëparshëm i APD-së u caktua në drejtimin e portit më të madh në vend në kohën kur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë drejtohej nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Shllaku ka mbajtur gjithashtu detyrën e zëvendësministrit të Mbrojtjes për një periudhë prej vetëm katër muajsh, pasi në fillim të muajit prill u largua nga ky funksion me Vendim të Këshillit të Ministrave. Përpara këtij emërimi, ai kishte ushtruar funksionin e Këshilltarit të Jashtëm për Infrastrukturat Portuale pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Andrea Shllaku zotëron një formim akademik në fushën e ekonomisë dhe menaxhimit. Ai ka përfunduar studimet universitare në Administrim Biznesi, si dhe një Master Shkencor në Menaxhim Financiar dhe Politikat Europiane, pranë Qendrës Universitare të Studimeve Europiane, Universiteti i Lorenës në Francë.
Shllaku njihet si profesionist me eksperiencë në menaxhimin financiar, menaxhimin e projekteve, logjistikën portuale, procedurat doganore të import-eksportit, si dhe në administratën publike.
