Nga: INA ARAPI*
Në gjysmën e parë të shek. XIX, kur gjuhësia gjermane po sundohej gjithnjë e më tepër nga perspektiva historike, pra nga etja për të njohur e zbuluar lidhjet gjenetike midis gjuhëve të ndryshme dhe shpluhrosja e fazave të tyre më të hershme, u shtua shumë interesi për gjuhët e tjera, sidomos për historinë e tyre. Mirëpo hulumtimi i zhvillimit historik të një gjuhe mbështetet në dokumentet e shkruara të saj, në radhë të parë te letërsia, si dhe te gramatikat, fjalorët e studimet e tjera gjuhësore të kryera rreth kësaj gjuhe. Për shumë gjuhë me traditë të gjatë shkrimi kjo gjë nuk përbënte ndonjë vështirësi, por për gjuhën shqipe kjo procedurë do të kërkonte shumë e shumë punë, çka do të çonte më në fund edhe në krijimin e një dege të re të shkencës, të albanologjisë. Sigurisht që albanologjia nuk ka të bëjë vetëm me studimin e historisë së gjuhës shqipe, por s’ka dyshim se albanologjia u ngrit si shkencë falë historisë së gjuhës. Interesi i gjuhëtarëve të huaj kishte të bënte fillimisht me nevojën për të përcaktuar lidhjet farefisnore dhe karakterin indoevropian ose jo të shqipes dhe më vonë me përpjekjet për t’i caktuar asaj vendin e duhur në familjen e gjuhëve indoevropiane.
Që në fillim u pa se një pengesë të madhe në mësimin e studimin e gjuhës shqipe e përbënte fakti që tekstet e kësaj gjuhe ishin jashtëzakonisht të rralla dhe pothuaj nuk gjendeshin fare. Në parathënien e veprës së tij “Die Sprache der Albanesen oder Shkipetaren” (Gjuha e albanezëve ose shqiptarëve), të botuar në Frankfurt am Main në vitin 1835, gjeneral-majori dhe historiani bavarez Josef Ritter von Xylander na rendit veprat në gjuhën shqipe, që ekzistonin në atë kohë. Vetë parathënia është shkruar në nëntor të vitit 1834. Prej shkrimeve të vjetra, të cilat, siç thotë ai, ishin jashtëzakonisht të rralla dhe nuk gjendeshin as në bibliotekat e mëdha të Gjermanisë, njiheshin:
Fjalori latinisht-shqip i dom Frang Bardhit, i botuar në Romë më 1635, katekizmi i dom Pjetër Budit i vitit 1664, vepra shqip-italisht “Çeta e profetëve” e kryepeshkopit të Shkupit, Pjetër Bogdani, botuar në Padova më 1685, gramatika e F. M. da Lecces “Osservazioni nella lingua albanese”, botuar në Romë më 1716, lista e rreth 1200 fjalëve në greqisht, arumanisht dhe shqip hartuar nga Teodor Kavalioti e botuar te “Protopiria” e tij më 1770 në Venedik dhe ushtrimet gjuhësore të botuara në të njëjtën kohë nga prifti Daniel (Dhanil) në Voskopojë. Por Ksilander thekson se kjo listë do të reduktohej shumë sikur Thunmann në veprën e tij shumë të njohur “Hulumtime mbi historinë e popujve të Evropës lindore” të mos kishte ribotuar listën e fjalëve nga vepra e Kavaliotit, një ekzemplar i së cilës i ishte dhuruar atij nga një vllah, dhe sikur J. S. Vater në tabelat e tij krahauese të gjuhëve bazë evropiane (Halle, 1822) të mos kishte riprodhuar faqet 135-182 të gramatikës së Da Leçes, sepse këto vepra në fakt ishin të pagjendëshme.
Nga botimet moderne ai përmend: Pouqueville (Voyage dans la Gréce, Paris 1820), shtojcën gramatikore të të cilit e konsideron pa vlerë, Hobhouse (Jouney through Albanie etj. , Londër 1813) me një ribotim përsëri të një pjese të gramatikës së da Lecces, Leake (Researches in Grece, Londër 1814) me ushtrimet gjuhësore të Dhanilit të përkthyera edhe në anglisht dhe “Përkthyesi i greqishtes së re, krahas turqishtes dhe shqipes” nga Johann Adolph Schmidt (Leipzig, 1822) me disa qindra fjalë shqip (Xylander 1835: VII). Vetë Ksilanderi pohon se zotëron një ekzemplar të Testamentit të Ri, të shtypur në Korfuz më 1827 në shqip dhe greqishte të re, dhe na njofton se sipas raporteve të Shoqërisë biblike në Londër në këtë vit kishte përfunduar edhe përkthimi i Testamentit të Vjetër. Prandaj, në gramatikën shqipe që përbën kapitullin e parë të librit të tij ai mbështetet edhe te ky botim duke na sjellë edhe disa fragmente nga kjo vepër e fundit në gjuhën shqipe (Xylander 1935: IX-X). Pra, vetë studiuesit, duke parë që materialet për shqipen ishin tepër të vështira për t’u gjetur dhe shumë të shtrenjta për t’u blerë, kontribuuan në përhapjen e tyre duke i ribotuar tërësisht ose pjesërisht në veprat e veta. Kjo ishte situata në vitin 1835, kur u botua vepra e Ksilanderit.
Nga kjo kuptojmë se sa e vlefshme ishte shfaqja në këtë zbrazëti e një poeti dhe shkrimtari si Jeronim De Rada (1814-1903), me një botëkuptim e shkollim të mirëfilltë evropian dhe me një krijimtari kaq të gjerë e të shumëllojtë, për imazhin e gjuhës dhe të popullit shqiptar, por dhe për studimin e gjuhës së tij. Ishte një shërbim i pakrahasueshëm që ky personalitet i jashtëzakonshëm i bëri gjuhës shqipe me veprën e tij. Nuk ishte fjala vetëm për një dokumentim të një folmeje shqipe në nivelin e saj më të lartë stilistik, por edhe për imazhin që kjo gjuhë dhe ky popull përfaqësonte.
Vetë Ksilanderi, kur flet në parathënie për vendet ku jetojnë shqiptarët, numëron edhe Kalabrinë e Sicilinë, por nuk përmend veprat e shkruara prej tyre mbi Shqipërinë, siç do të ishin p. sh. ato të Ëngjëll Mashit (1758-1821), jurist dhe studiues arbëresh, vepra më e njohur e të cilit Discorso sull’origine, costumi, e stato attuale degli Albanesi del regno di Napoli ishte botuar në Napoli në vitin 1807. Ai që e bëri të njohur letërsinë arbëreshe për publikun gjerman të kohës ishte gjuhëtari Heinrich Christoph Gottlieb Stier. Në vitin 1853, pra 18 vjet pas daljes së veprës së Ksilanderit, ai botoi artikullin “Die Albanesen in Italien und ihre Literatur” (Shqiptarët në Itali dhe letërsia e tyre) në numrin e radhës të revistës Allgemeine Monatsschrift für Wissenschaft und Literatur.
Artikulli shoqërohet me një rekomandim të gjuhëtarit A. F. Pott, që na sjell disa të dhëna interesante për stadin e studimeve gjuhësore dhe albanologjike në atë kohë. Thekson që në fillim se tema nuk është e panjohur për të, pasi merret prej kohësh me shqipen. Ai dëshiron që artikulli i mësipërm, të cilin e ka nxituar që të shkruhej, të tërheqë edhe vëmendjen e lexuesit, “Sepse është për t’u habitur me të vërtetë, bile edhe për t’u zemëruar, kur mendon që së bashku me ne banon në Evropë një popull për ekzistencën dhe veprimtarinë e të cilit, përfshirë edhe gjuhën e tij të veçantë, të paktën në veriperëndim të botës dihet tepër pak”. Por, lajmëron Pott, së shpejti do të dalë vepra shumë e pasur e konsullit austriak von Hahn, të cilën ai e ka parë në shtypshkronjë dhe e cila së shpejti do t’i japë një zgjidhje kësaj mungese të ndjeshme në njohuritë etnografike nga një tjetër aspekt prej atij që trajton z. Stier. Ky i fundit, në këtë artikull prej 10 faqesh, vëren që në fillim se, megjithëse që nga vepra e Ksilanderit, me përjashtim të një artikulli në një revistë, në Gjermani nuk ka pasur botime të tjera për këtë temë, vetë shqiptarët janë përpjekur që ta zhvillojnë letërsinë e tyre dhe dhe ta bëjnë të njohur në Evropë. Ai sjell si shembull veprën e arbëreshit “erudit” Vincenz Dorsa “Su gli Albanesi Richerche e Pensieri” (Napoli, 1847), tek e cila mbështetet edhe artikulli i tij. Qëllimi i shkrimit është që t’i bëjë të njohura rezultatet e arritura për të treguar se çfarë duhet bërë fillimisht për t’iu afruar zgjidhjes së çështjes së gjuhës shqipe. Pasi jep shumë të dhëna për shtrirjen gjeografike dhe historikun e ngulimeve arbëreshe, Shtiri, duke u mbështetur gjithnjë te Dorsa, nga njëra anë na informon për letërsinë në gjuhën shqipe të krijuar prej tyre në dorëshkrim, ndërsa nga ana tjetër plotëson listën e librave të Ksilanderit me botimet e mëposhtme: Breve Compendio della Dottrina Cristiana, di un nazionale del Regno di Servia, 1743 (prej Gjon Nikollë Kazazit), Lo Speculum Confessionis (nga P. Budi), La via del Paradiso, tradotta da un Missionario (V. Basile, Romë 1845) dhe Gjella e shën Mëris nga Jul Variboba (1762), për të cilën shton se thuhet që është shumë e arrirë dhe ka pasur sukses të madh në popull (Stier 1853: 869).
Pasi flet për folklorin shumë të pasur arbëresh, Shtiri kalon te Hieronymus de Rada, si një poet që është rritur duke u ushyer prej tij dhe që i frymëzuar në mënyrë të zjarrtë nga lavdia e popullit të cilit i përket i ka vënë vetes si detyrë të bëhet një M’Phersen i këngëve popullore të tij. Shtiri rendit të gjitha veprat e De Radës të botuara deri në atë kohë dhe përshkruan përmbajtjen e epokës së parë nga Serafina Topia, meqenëse tre të tjerat nuk i ka. Sqaron se vendosja e tekstit italisht krahas atij shqip e lehtëson leximin për ata që nuk e njohin mirë gjuhën shqipe. Konkluzioni është që hulumtimet për prejardhjen e gjuhës shqipe mund të lidhen edhe me letërsinë e italo-shqiptarëve po aq mirë sa me atë të gegëve e toskëve. “Të kemi parasysh edhe lehtësinë më të madhe me të cilën mund ta sigurojmë materialin, meqenëse një pjesë është e shtypur, ndërsa pjesa tjetër mund të gjendet në Palermo më lehtë sesa një kodik klasik që duhet ta kopjosh me dorë; plus faktin që një udhëtim nëpër provincat e Napolit për të mbledhur këngët popullore, nënkupton shumë më pak vështirësi se sa udhëtimet në Shqipëri: kështu pra, nga disa arsye duket bile më e favorshme që të ndjekim këtë rrugë perëndimore. Më e pakta, një mirëkuptim nga të dyja pikat vetëm do ta ndihmonte çështjen” (Stier: 873). Ai paralajmëron se pritja e punimit të premtuar nga Biondelli mbi dialektet e shqipes dhe monumentet gjuhësore të tyre do ta shtynte me siguri çështjen shqiptare në kalendat greke. Është e nevojshme, vazhdon ai, që të përgatiten konkordancat dhe glosari për çdo poezi, në mënyrë që të fitojmë një farë sigurie për çdo fjalë e formë dhe njofton se po merret me një indeks të të veprave të De Radës. Qëllimi i këtyre glosarëve nuk duhet të jetë pasuria e fjalëve, por përcaktimi i formave gramatikore të tyre, “Sepse sa kohë që pyetja rreth origjinës së një gjuhe nuk merr parasysh pasurinë bazë të saj: foljen, emrin, numërorët dhe përemrin, përgjigjia vështirë se do të jetë e mjaftueshme dhe e sigurt” (Stier 1853: 870-4).
Këto përpjekje me sa duket i kapërcyen pengesat e shkaktuara nga mungesa e lëvrimit normal të gjuhës shqipe dhe vështirësitë e komunikimit, sepse një vit më vonë, pas botimit edhe të një artikulli tjetër të Shtirit me titullin “A është gjuha shqipe indoevropiane?”, angazhohet vetë Franz Bopp (14. 09. 1791 në Mainz – 23. 10. 1867 në Berlin), themeluesi i gjuhësisë së krahasuar indoevropiane, për ta zgjidhur përfundimisht çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe në një vepër të posaçme me titullin “Über das Albanesiche in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen” (Mbi lidhjet farefisnore të shqipes), e cila u botua në Berlin në vitin 1855. Më 1816 ai kishte botuar në Frankfurt am Main veprën e tij të parë “Über das Conjugationssystem der Sanskritsprache in Vergleichung mit jenem der griechischen, lateinischen, persischen und germanischen Sprache” (Mbi sistemin e zgjedhimit të sanskritishtes në krahasim me atë të gjuhës greke, latine, perse e gjermanike), që vuri bazat e kësaj dege të gjuhësisë. Në veprat që pasuan Bopi e zgjeroi vazhdimisht rrethin e gjuhëve të shqyrtuara e të klasifikuara prej tij, por duhej të kalonte gati një gjysmë shekulli deri sa vëmendja e këtij gjuhëtari autoritar t’i drejtohej edhe shqipes, kësaj radhe në një vepër të veçantë, që i kushtohej vetëm asaj. Me mprehtësinë e tij të jashtëzakonshme dhe argumenta të mbështetura mirë, ai e përcaktoi përfundimisht shqipen në këtë vepër si mis të familjes gjuhësore indoevropiane.
Bopi fillimisht e lexoi punimin e tij para Akademisë Mbretërore të Shkencave në Berlin më 18 maj 1854, pikërisht disa muaj pas botimit të veprës voluminoze “Albanesische Studien” (Studime shqiptare, Jena 1854) të Johann Georg von Hahn-it, e cila sillte një numër shumë të madh të dhënash për këtë gjuhë, popull dhe vend të panjohur. Ai mbështetet fuqimisht te Hani, të cilit i kopjon dhe ortografinë shqipe duke i bërë disa ndryshime. Kjo na bën të mendojmë se ishte ndoshta vepra e shumanshme e Hanit që i dha atij sigurinë e duhur në argumentimin e prejardhjes indoevropiane të kësaj gjuhe. Megjithëse Bopi që në hyrje vë në dukje se është marrë me shqipen edhe në një trajtesë tjetër të pabotuar, të lexuar më 23 shkurt 1843, ku ka referuar për numrat dhe përemrat e saj.
Përveç Hanit, të cilin e citon vazhdimisht, Bopi ka shfrytëzuar për shembujt shqip edhe veprën e Ksilanderit, Testamentin e Ri shqip e greqisht (Korfuz, 1827), gramatikën e Da Lecces dhe Fjalorin e Bardhit. Bopi nuk u referohet veprave të De Radës, po as atyre të Budit, Bogdanit, Kavaliotit e Dhanilit, të cilat Ksilanderi i rreshton në parathënien e librit të tij. Përndryshe pas tij De Rada u shërbeu shumë e shumë gjuhëtarëve e albanologëve gjermanë e austriakë (F. Miklosich, G. Meyer, N. Jokl, M. Lambertz, A. Schmaus etj. ) si pikë e rëndësishme referimi në studimet e tyre.
Një vit më vonë, Shtiri e realizoi kërkesën e parashtruar në artikullin e tij për letërsinë arbëreshe duke paraqitur të parin botim filologjik-kritik të një vepre deradiane, poemën Anmarîe Cominiatet, që u botua më 1856 në Braunshvajg nën titulli “Hieronymi de Rada apuli carmina italoalbanica quinque”. Parathënia, përmbajtja e të pesë këngëve, si dhe të gjitha shpjegimet janë dhënë në latinisht, me qëllim që të kuptoheshin edhe nga ata studiues që nuk e njihnin gjermanishten. Vepra ka gjithsej 56 faqe. Në faqen e parë të numëruar (8) është dhënë faqja e parë e origjinalit të De Radës, që ndahet në dy kolona, italisht dhe shqip. Në 23 faqet në vazhdim, gjithashtu në dy kolona, jepet në të majtë transkriptimi i tekstit arbëresh në alfabetin grek, ndërsa në të djathtë përkthimi gjermanisht. Pasojnë glosari (fq. 32-54) i paraprirë nga literatura dhe një tabelë gramatikore prej dy faqesh që paraqet zgjedhimet dhe lakimet e gjuhës shqipe. Në fund të glosarit Notarum epilogus. Në këtë mënyrë De Rada u bë edhe autori i parë i letërsisë shqipe i përkthyer në gjermanisht me një vepër të plotë, nëse lëmë mënjanë 8 poezitë e Nezim bej Frakullës të përkthyera dhe të botuara nga Hani. Jo vetëm bota shkencore, por edhe publiku i interesuar gjermanishtfolës e njohu tani edhe si poet. Të mos harrojmë se bëjmë fjalë për një kohë, kur mungesa e një letërsie të shkruar në gjuhën shqipe përbënte një argument kundër kërkesës së shqiptarëve për t’u konsideruar si komb më vete. Por interesi për veprat e De Radës nuk do të humbasë deri në kohët moderne. Kështu, në vtin 1948 një tjetër albanolog i njohur, Maximilian Lambertz do të përkthente Këngët e Milosaos.
Prandaj, është e kuptueshme që 200 – vjetori i lindjes së Jeronim de Radës u përkujtua edhe nga albanologjia gjermane dhe publiku i interesuar për botën shqiptare me anë të një studimi të historianit Thomas Kacza (l. 1951 në Penzlin/Mecklenburg) me titull “Girolamo (Jeronim) De Rada (1814-1903)” të botuar privatisht nga autori. Në këtë studim prej 56 faqesh bëhet një vlerësim i veprës letrare të De Radës në kontekstin historik dhe shoqëror të kohës. Nuk është hera e parë që Kaça merret me De Radën. Një punim me përmasa më të vogla për këtë “paraprijës shpirtëror” të Rilindjes Kombëtare shqiptare e ka botuar që në vitin 1989 në Berlinin perëndimor. Nga konkluzionet që nxjerr autori na pëlqen të përmendim këtë si epilog për artikullin tonë: Girolamo De Rada ishte i pari zë i letërsisë shqipe që u dëgjua në Evropë, ai u ra kështu këmbanave që lajmëronin rikthimin e Shqipërisë drejt Evropës (Kacza 2014: 41).
Përfundim
Ky shkrim, megjithëse i orientuar nga rëndësia historike e veprës së Jeronim de Radës, synon t’i japë një përgjigje të tërthortë edhe pyetjes së ngritur nga redaktori se si mund ta bëjmë veprën e tij tërheqëse për lexuesin e sotëm. Vepra e De Radës lindi si një domosdoshmëri artistike nën presionin e kërkesave të kohës. Ajo mund të lexohet sot vetëm e përzgjedhur në përzgjedhje të përgatitura nga specialistë dhe të sqaruara e komentuara prej tyre. Nga ana tjetër, autorja përfiton nga rasti që të përsërisë këtu një ide, të cilën e ka shprehur edhe më parë dhe që lidhet me kompetencën gjuhësore të shqipfolësve. Ajo është e mendimit se kjo kompetencë duhet të zgjerohet edhe me disa njohuri bazë nga arbërishtja, çka duhet të përfshihen në programin e mësimit të gjuhës shqipe që zhvillohet nëpër shkolla. Duke pasur disa njohuri bazë lexuesi do të arrijë ta ndiejë jo vetëm forcën e madhe estetike të shumë krijimeve deradiane, por edhe të atyre të krijuesve më të vonë ose modernë arbëreshë, çka do ta zmadhonte rrethin e letërsisë shqipe dhe përfaqësimin e saj në spektrin e kulturës evropiane, si dhe do të ndihmonte për të mbajtur të gjallë edhe në të ardhmen lidhjen me këtë avanpost tradicional të shoqërisë shqipfolëse në Evropë.

Shënime
Ky ishte emërtimi i parë për shqiptarët në gjuhën gjemane nën ndikimin e italishtes. Në shekullin XX u ngulit trajta Albaner.
2 Për vendin e kohën e këtij botimi nuk ka qartësi. Të dhëna më të plota rreth kësaj vepre te Shuteriqi (1976: 152-3).
3 Për letërsinë shqipe në fund të shek. XIX shih Konica (1993: 117-120). Për arsyet që çuan në këtë gjendje shih Konica (2007: 59-60), ku përshkruhet represioni ndaj gjuhës shqipe në kohën e sundimit turk. Këtu ai dëshmon edhe se fjala “albanolog” përdorej normalisht në gjermanisht në vitin 1897, kur ky artikull është botuar te Albania/1.
4 Sipas të dhënës së G. Majerit në fjalorin e tij etimologjik (1891).
5 Bardhi, Xylander, Dorsa (Su gli Albanesi ricerche e pensieri. Napoli, 1847), Hahn, Reinhold (Noctes Pelasgicae, Athinë, 1855), Bopp.

Literaturë:
Bopp. Franz. Über das Albanesische in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen. Fotokopje e origjinalit. Printed in the USA.
Elsie, Robert. 1997. Histori e letërsisë shqiptare. Tiranë-Pejë.
Kacza, Thomas. 2014. Girolamo (Jeronim) De Rada (1814-1903). Eine Würdigung zum 200. Geburtstag (Në shenjë nderimi në 200-vjetorin e lindjes). Bad Salzuflen. Botim privat.
Konica, Faik. 1993. Letërsia shqipe. Në: Vepra. Tiranë. Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Fq. 117-120.
Konica, Faik. 2007. Gjuha e bijve të shqipes. Në: Mendime gjuhësie. Mblodhi, transkriptoi, pajisi me shënime dhe një hyrje studimore Kristina Jorgaqi. Tiranë. Ombra GVG. Fq. 58-60.
Stier, G. 1853. Die Albanesen in Italien und ihre Literatur. In: Allgemeine Monatsschrift für Wissenschaft und Literatur (E përmuajshme e përgjithshme për shkencën dhe letërsinë). Janar. Shtëpia Botuese “C. A. Schwestchke (sic!) & Sohn” (M. Bruhn). Braunschweig.
Stier, G. 1854. Ist die albanesische Sprache eine indogermanische? In: Allgemeine Monatsschrift für Wissenschaft und Literatur 1854. Fq. 860-872.
Shuteriqi, Dh. S. 1976. Shkrimet shqipe. Tiranë.
Von Xylander, Joseph Ritter. 1835. Die Sprache der Albanesen oder Shkipetaren. Frankfurt am Main, in der Andreáischen Buchhandlung.
*Vjenë
(er.nu/Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: