Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar rezolutën kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
128 vende anëtare të OKB kanë votuar pro rezolutës, 35 kanë abstenuar dhe 9 vende të tjera kanë dalë kundër rezolutës.
“BalkanWeb” mëson se edhe Shqipëria i është bashkuar shumicës së vendeve anëtare për të votuar pro rezolutës dhe kundër vendimit të SHBA për Jerusalemin.
Me këtë rezolutë, OKB i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të tërhiqet nga vendimi i njohjes së Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.
Më herët, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Nikki Haley paralajmëroi përfaqësuesit e vendeve të tjera në Kombet e Bashkuara se do të mbajë shënim emrat e vendeve që do votojnë pro rezolutës.
Haley tha se Presidenti Trump i ka kërkuar që ajo t’i dorëzojë një raport mbi vendet të cilat votojnë kundër Shteteve të Bashkuara. Para votimit, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu paralajmëroi refuzimin e këtij rezultati dhe e cilësoi OKB-në si “shtëpinë e gënjeshtrave”.
(d.d/BalkanWeb)