Është publikuar së fundmi ditari i Ferdinando Rollandos, guida alpine italiane që u zhduk në Mont Blanc në 2014, shkruan e përditshmja italiane ‘La Stampa’.
Një “lule blu” në Kabul, jeta e një njeriu në një frazë. Jeta e Ferdinando Rollandos, kujtimi i të cilit mbetet edhe në një libër-ditar të një udhëtimi utopik që ka edhe kuptimin e eksplorimit: përhapja e turizmit të skive në tokën e shkatërruar të Afganistanit.

“Lulja blu, simbol për francezët e nostalgjisë dhe një shprehje tashmë e pavdekshme nga Raymond Queneau, autori i librit me të njëjtin titull, libri i preferuar i Rollandos. Zëri i tij është në 200 faqet e publikuara nga “Il Melangolo”: Qielli i Kabulit – Historia e Hoxhës së skive.
Trupi i tij është zhdukur, i zhytur nga një çarje në luginën glaciale të Miage, Mont Blanc. Është aty që më 9 korrik të 2014, bashkë me trupin e 16-vjeçarit Jassim Mazouni.

Në ditarin e Rollandos, lexohet një ‘listë e trajnimeve të tij’: “Marinar, rojtar i strehimeve alpine, reporter dhe gjuetar në malet e Kinës. Dhe tani hoxha i skive në Afganistan”.
Ishte 52 vjeç kur papritur u largua nga streha ku ndodhej duke udhëhequr Jassimin në akull. U zhdukën të dy. Katër vite më parë, në 2010, nisi aventurën e tij afgane si ‘ambasador’ i një ideje turistike të Fondacionit Aga Khan, pastaj shpiku një shoqëri, “Alpistan”, që synonte të ndihmonte të rinjtë e vendit.

Rollando shkruan më 2 mars të vitit 2011 se ideja e tij për mundësinë e rilindjes së këtyre tokave nga majat e maleve është një paradoks. “Shpresoj që banorët e fshatit që më shohin duke kaluar çdo ditë me ski, me ndonjë klient dhe më një dyzinë fëmijësh, shpejt të shohin dikë që arrin në shtëpitë e tyre të izoluara në dëborë”. Dhe pastaj shkruan me ironi: “Personazhi i librit tim do kishte humbur në gjeografi të tjera”.

Rollando në atë kohë mori shumë mbështetje nga një ministër italian me të cilin ka bashkëpunoi, dhe madje arriti që më 8 mars të ndihmonte një grup vajzash afgane të bënin ski. Por tashmë projekti i tij ka mbetur pezull.

Një vizionar në një vend armiqësor, të cilin e deshi me të gjitha kontradiktat e tij. Ju shkruante faqe të tëra miqve të tij përmes internetit, lundronte në botën virtuale të eksperiencave reale përmes dëshmive dhe fotografive, deri aty sa edhe ‘New York Times’ dhe rrjete të shumta televizive u interesuan për të.

Redaktori i librit, eksperti i komunikimit Antonio Bettanini, me një veprimtari të gjatë në marrëdhëniet ndërkombëtare, na jep një aspekt shumë të jashtëzakonshëm të jetës së Rollandos:
“Një udhëtar i botës i ardhur nga një vend i detit, Vernazza, që ka jetuar në një mal, Ollomont – Rollando ishte një nga ata personat e veçantë që nuk kanë ardhur rastësisht në këtë botë”.

Në atë tokë të ashpër, Rollando ëndërron, vazhdon projektin e tij që ka nevojë për ndihma, me një vullnet të hekurt. Është i njëjti Rollando që rrezikon të vritet në një vend të shkretuar rreth 5000 metra nga Nuristan, në veri-lindjen afgane.

E rrëmbejnë bashkë me një mik perëndimor dhe një udhërrëfyes të ri vendas ndërsa po kontrollojnë projektin e tyre të parandalimit të ortekëve. I shpëtojnë lutjet e djaloshit afgan dhe gjithçka që kanë me vete, dollarët, rrobat, telefonat dhe aparati fotografik.

Në një nga faqet e fundit të ditarit të tij, në letrën për vajzën e tij Virginia, Ferdinando Rollando, pavarësisht vështirësive të dukshme për të mbajtur gjallë projektin e tij, shkruan: “Alpistan po konsolidohet në Itali dhe në Evropë për të ndihmuar më mirë ata që punojnë në Afganistan dhe shumë shpejt në malet e tjera të kësaj toke të shkatërruar nga dhuna e njerëzve”. Ishte 1 janari i vitit 2014.

Përktheu për BalkanWeb: Aleksandra Kola

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb