Një poet që jetoi, shkroi e vdiq në fillimshekullin e kaluar është sjellë në vëmendje bashkë me poezitë e tij që nuk bërtasin. I arsimuar në Firence për Filozofi, pas mësimeve të para te Françeskanët, Gaspër Pali, me rikthimin nga Italia, krijon një varg krejt tjetër, të orientuar nga moderniteti dhe dalja nga tradita. Një takim ne “Berk” pas botimit të librit “Prendimi i andrrimeve”, solli në vëmendje poetin e harruar.
“Gaspër Pali nuk hynte te poetët misionarë, nuk kishte letërsi të angazhuar, as qëllimore, as letërsi që kishte mision propagandimin e problematikave sociale të kohës, është rasti te themi se Gaspër Pali, themeloi modelin e poetit instrospektiv”, tha studiuesja Vjollca Osja.
Duket se kjo ishte arsyeja që emri i tij mbeti mënjanë, kur ai vetë u nda nga jeta në moshë krejt të re, pothuaj pa e ndjerë peshën e vargut të tij.
“Kishte elemente të modernizmit dhe hermetizmit, që nuk ishin të pranuara për kohën. Këto dy dimensione, që ishte poet pa angazhim social, poezia e tij nuk bërtet, nuk ka revoltë, pra angazhim në kuptimin që kishte kritiku i realizmit socialist për të, dhe ka ndikime të rrymave letrare që ishin anatemuar janë arsyet që ai u përmend, por nuk u përmend, pra u përmend si emër, por asgjë nga vepra e tij”, tha Osja.
Pali u shua në 1942 pas një sëmundje të rëndë. Emri i tij del në ndonjë antologji, pothuaj kalimthi, por ishte dhe mbeti jashtë teksteve shkollore, sepse nuk përmbushi kushtet që i duheshin realizmit socialist, tradita e të cilit pothuaj vijoi edhe me rënien e sistemit.