Nga shiu në breshër”, është një shprehje e përdorur në vendin tonë. Mirëpo, ka raste kur kjo merr edhe kup timin e parë. Eros Grezda nga Kroacia është transferuar në Skoci. Nga një kohë me diell, mbase edhe pak shi një ditë të caktuara të vitit, ka nisur të jetojë një kohë gri, me temperatura të ulëta dhe me shi e breshër.

E në rast se duam t’i rikthehemi edhe një herë perifrazimit të frazës fillestare, breshëri për mesfushorin e Kombëtares është loja e fortë dhe e aspër që karakterizon stilin e futbollit skocez. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori i avancuar apo sulmuesi anësor i Kombëtares na prezanton me Rejnxhërsin e Stiven Xherard.

Këshillat, tipin e trajnerit, ngacmimet me shokët e skuadrës. Ah, ka edhe “baste”, pasi në ekip Grezda ka një skocez që është pjesë e Kombëtares. “Në nëntor do e shohësh forcën e Shqipërisë”, është basti i shqiptarit në dhomat e zhveshjes, si për t’i dalë në mbrojtje kuqezinjve pas disfatës 2-0 ndaj Skocisë për Ligën e Kombeve.

Nga Kroacia në Skoci, cila ka qenë gjëja e parë që ju ka bërë përshtypje?

Gjëja e parë që më ka bërë përshtypje sapo erdha në Skoci ishte moti. Pra, në qytet është gjithmonë shi.

Po në skuadër, te Rejnxhërsi?

Sa i përket anës profesionale, luhet një futboll shumë shumë më i shpejtë dhe shumë herë më agresiv sesa në Kroaci.

Nisur nga kjo, Rudi Vata për “Panorama Sport” ka thënë se atje “duhen burra me fustanella leshi”. A jeni gati për këtë?

Po, e kam dëgjuar edhe Rudi Vatën edhe të tjerë njerëz që më kanë thënë se është futboll shumë i vështirë. Mirëpo, unë po kthehem nga një dëmtim që më zgjati pak dhe tani jam duke punuar shumë që të kthehem sa më shpejt dhe i fortë në fushë. Sapo të vij në formën time më të mirë, besoj se do të jem i gatshëm që të përballoj kampionatin skocez.

A jua kanë përmendur Vatën atje?

Me thënë të drejtën, jo, sepse ai ka qenë lojtari i Sëlltikut dhe siç e dini, këtu është derbi i madh Rejnxhërs-Sëlltik dhe në fakt i urrejnë të gjithë futbollistët e Sëlltikut (qesh…).

Në fushë ka qenë një legjendë, si është Xherard si trajner?

Trajneri është shumë shumë profesionist. Ai ka një veti dhe arrin që të krijojë një atmosferë shumë të mirë gjatë stërvitjes. Është i qetë dhe përgatitjet dhe stërvitjet janë shumë të mira. Kam me të vërtetë vetëm fjalë të mira për të dhe nuk di nëse ka ndonjë mangësi.

Përveç elozheve për të, çfarë kërkesash ka dhe çfarë pret nga ju?

Të them të drejtën, unë kam luajtur vetëm tri ndeshje deri më tani, dy në Kupë dhe një herë në kampionat dhe nuk është se ka kërkuar shumë nga unë. Unë në fakt kam biseduar shumë me të dhe ai e di që duhet pak kohë që të gjej formën time më të mirë. E rëndësishme është që ai e di se çfarë lojtari jam, çfarë cilësish kam.

Çfarë ndryshon në Skoci nga kampionatet e tjerë ku keni luajtur?

Sa i përket futbollit në Kroaci, ishte më tepër teknik. Ndërsa këtu në Skoci është më agresiv dhe duhet më shumë vrapime. Janë dy kampionate krejt ndryshe.

Çfarë ju thanë shokët pas ndeshjes Skoci-Shqipëri? Cili ishte mendimi i tyre për Kombëtaren tonë?

Të them të drejtën, ne luajtëm shumë dobët kundër Skocisë. Kjo, është ajo që më thanë shokët. Por sigurisht që nuk mund ta pranoja.

Realisht, nuk ishim brilantë, por si ju përgjigjët?

Si çdo shqiptar. Ju thashë që: “Do jua tregojmë në nëntor se kush jemi. Do ta shikoni forcën tonë të vërtetë”.

Burimi: http://www.panorama.com.al/ekskluzive-jeta-te-rejnxhers-grezda-rudi-vata-ketu-i-urrejne-lojtaret-e-selltikut-xherard-e-di-cfare-lojtari-jam/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb