SHKODËR

Arqipeshkvi Metropolit Shkodër-Pult Angelo Massafra ka zgjedhur Ungjillin sipas Gjonit për të uruar besimtarët e krishterë me rastin e Pashkëve Katolike.


Ndër të tjera, Massafra uron besimtarët që të mikpresin kumtimin e emrit të Jezusit të Ngjallur, të cilit i kërkon të shpëtojë e lirojë Shqipërinë prej padrejtësive, mendjemadhësisë e etjes për pushtet.


“Për këtë arsye, ju uroj të gjithëve ju, katolikë, ortodoksë e krishterë, që të dini ta mikprisni kumtimin e Emrit të Jezusit të Ngjallur: Ai na shpëtoftë dhe e liroftë Shqipërinë tonë prej padrejtësive, prej mendjemadhësisë, prej etjes për pushtet dhe zotërim, pasi këto gjëra shkaktojnë urrejtje, hakmarrje dhe vrasje”, thotë Masafra.


MESAZHI I PLOTË
“Shko te vëllezërit e mi e thuaju:
Po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, tek Hyji im e Hyji juaj”
(Gjn 20, 17).
Për urimet e mia për Pashkën 2019 këtë vit kam zgjedhur rreshtin e Ungjillit të Gjonit ku përshkruhet përvoja e të Ngjallurit, që bën Maria Magdalenë, figura e Kishës që është në kërkim të Zotit të vet.
Për fenë tonë varri i zbrazur është një shenjë e Ngjalljes: ashtu si Gjoni apostull, edhe ne, që në ditët e Mundimeve e kemi ndjekur Jezusin, i kemi rijetuar ngjarjet e Kryqëzimit dhe të Vdekjes së tij, të drejtuar prej dashurisë, na mjafton të dimë se varri ku e kishin vënë tani është bosh.

Por kjo nuk mjafton, që fesë sonë t’i bashkohet edhe përmasa e gëzimit të brendshëm dhe të jashtëm. Nevojitet një “më shumë”, që është takimi dhe përqafimi me Zotin e kryqëzuar dhe të ngjallur.
Edhe ne, besimtarët e Kishës në Shkodër-Pult, jemi duke kërkuar të Dashurin, shkojmë duke përsëritur emrin e tij, duke ua thënë edhe të tjerëve, që ta kërkojnë së bashku me ne dhe, pasi ta gjejnë, të gëzojnë edhe ata.

Por këtë takim ne krishterë e bëjmë çdo ditë: ashtu si Marisë, edhe neve i Ngjalluri na e drejton Fjalën e Vet; madje na thërret në emër, duke na zbuluar në këtë mënyrë se sa shumë ai na njeh dhe na do, sepse njohja dhe dashuria shkojnë së bashku; edhe ne e thërrasim në emër, duke bërë që ky emër të tingëllojë në asambletë tona, sepse emrin i tij është “emri që është mbi çdo emër” (Fil 2, 9). Dhe çdo ditë ai, i Ngjalluri, na jepet neve në formën e bukës dhe të verës eukaristike, sepse dashuria e tij për ne nuk është vetëm “me fjalë”, por konkrete: nuk mjaftohet që të na bëjë “ta ndiejmë” Fjalën e Tij, por dëshiron edhe që të jetojë me ne një bashkim të thellë, që ne e quajmë “bashkësi”. Dhe, si të mos mjaftonte, na mbush me Shpirtin e Vet që gjallëron të gjitha veprimet tona.

Këtë gjë bëjmë ne si Kishë çdo ditë! Ka vetëm një problem: sa kjo e vepruar kishtare është edhe e vepruar e çdo besimtari? Duhet ta bëjmë këtë pyetje, të dashur vëllezër e motra! Kjo pyetje është thelbësore për jetën tonë të fesë. Pasi, nëse nuk është kështu, përvoja jonë e të Ngjallurit nuk do të ishte e plotë.

Marisë Magdalenë i jepet edhe një detyrë e rëndësishme: t’ua kumtojë të Ngjallurin vëllezërve të vet dhe motrave të veta; po edhe neve Jezusi na jep detyrën për të shpallur i Gjall.
Të dashur, mos u lodhim në të qenurit tonë misionarë të Ngjallurit, le të themi dhe ia tregojmë të tjerëve fuqinë e emrit të tij që shëron, fal e shpëton.

Vëllezër dhe motra, është e vërtetë, jetojmë një moment të vështirë, të gjithë e ndiejnë vështirësinë për të jetuar që, ndonjëherë, i ngjan një lufte për mbijetesë. Le të mos shkurajohemi: të shikojmë gjithçka që kemi bërë në këto vite, të vlerësojmë ecjen që kemi bërë deri tani me shumë sakrifica. Secili prej nesh, sot, të bëjë pjesën e vet…e ardhmja është edhe në duart të secilit, përveç të Zotit.

Për këtë arsye, ju uroj të gjithëve ju, katolikë, ortodoksë e krishterë, që të dini ta mikprisni kumtimin e Emrit të Jezusit të Ngjallur: Ai na shpëtoftë dhe e liroftë Shqipërinë tonë prej padrejtësive, prej mendjemadhësisë, prej etjes për pushtet dhe zotërim, pasi këto gjëra shkaktojnë urrejtje, hakmarrje dhe vrasje. Ai na dhashtë guximin e nevojshëm për të fituar mbi çdo formë egoizmi, forcën për t’u angazhuar për të mirën e përbashkët në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të vëmendshme ndaj nevojave të më nevojtarëve dhe na dhashtë gëzimin e brendshëm e të thellë për të qenë qytetarë aktivë, të ndershëm dhe guximshëm për rindërtimin shpirtëror, moral, kulturor dhe ekonomik të Atdheut tonë të dashur.
Për shumë vjet Pashkën të gjithëve.

(BalkanWeb)