Profesori i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Flamur Maloku foli në studion e Log. me Endri Xhafon në News24, për takimin që ia ka zhvilluar disa vite më parë me Fetullah Gylen.
Në Log. u publikua edhe një foto nga takimi i pedagogut nga Kosova me klerikun turk.
Maloku tha se Gylen bënte një jetë të thjeshtë në SHBA, ndryshe nga sa shkruanin mediat për bashkëpunëtorin e dikurshëm të Erdogan dhe më pas i shpallur armik nga ky i fundit.
“Foto publikohet për herë të parë këtu tek ju. Foto është bërë në vitin 2019 në Pensilvania të SHBA-së. Kam shkuar disi me rezerva, pasi njeriu që në vitin 2015 është shpallur në listën e personaliteteve më të shquara dhe me më shumë ndikim në botë, për mua ishte një privilegj dhe kureshtje se çfarë njeriu ishte, çfarë jete përçon. I kisha përgatitur pyetjet paraprake për lëvizjen e Hyzmetit dhe sistemin e konceptin që bënte si ofertë përmes librave që u përkthyen në gjuhën shqipe. Por ishte mbresëlënëse thjeshtësia e atij njeriu. Mendonim se jetonte një jetë mondane, jetë Sulltani. Kam parë dhe nuk e harroj, një krevat i thjeshtë, në një hapësirë 3 x 3 metra. Nuk kishte mbrojtje. Mediat i hiperbolizojnë. Ishte mikpritës, dashamirës. Unë kisha përkthyes, pyetjet që bëra për librin që do të dalë i bëra për lëvizjen dhe shumë tema që u thelluan aty. 3 vite më pas u shpall zyrtarisht terrorist. A është e mundur të shpallet terrorist (nga Turqia)?“, u shpreh Maloku.
Fetullah Gylen u kërkua vazhdimisht nga Turqia për t’u ekstraduar por SHBA refuzoi. Lëvizja që përfaqësonte Gylen nuk konsiderohej organizatë terroriste nga SHBA, Britania e Madhe as vendet e tjera të Europës. Pas grushtit të shtetit në vitin 2016, Turqia dhe Erdogan shpallën Gylenin dhe lëvizjen e tij organizatë terroriste. Gylen i mohoi gjithmonë akuzat për organizimin e grushtit të shtetit.
Fetullah Gylen ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare, mëngjesin e 21 tetorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
(BalkanWeb)