Kryetari i PD Lulzim Basha në një konferencë për mediat pasi Shqipëria mori JO për hapje negociatash, deklaroi se opozita e bashkuar është gati për zgjedhje të parakohshme që nesër, por duhen standarde.

Ne si opozitë do të luftojmë për një Shqipëri më të mirë, duam reformë zgjedhore për zgjedhje të ndershme e të lira. Rama sot është një autokrat që nuk dorëzon pushtetin me dëshirën e tij. Sot Rama duhet të jepte dorëheqjen. Qeveritë ndryshojnë. Shikoni Kosovën, nuk po shkojmë më larg. Shikoni sesi politikanët në Maqedoninë e Veriut flasin kaq hapur për zgjedhje të parakohshme. Kjo qeveri nuk ka legjitimitetin. Nuk mund të flasim për normalitet këtu, nuk mund të ketë reformë zgjedhore me bandën e Avdulajve dhe me bandën e Shijakut. Ligjet i kemi të mira, si në Europë, por nuk zbatohen. Opozita shkon që nesër në zgjdhje, por parakushti është që ata zgjedhje të jenë të ndershme, e jo të jenë zgjedhje të Vangjushit, Tomës e Kajmakut”, tha Basha.

Lulzim Basha theksoi se reforma në drejtësi u votua në parlament, por ajo u shtrembërua rrugës. Basha nënvizoi se duhet të nisin hetime ndaj bosëve të politikës dhe të krimit.

“Reforma në drejtësi është kapur, abuzuar, është keqtrajtuar. Unë dua të deklaroi mbështetjen e plotë të pikave të Bundesgaut. Dua të nis hetimin e bosëve të politikës dhe të krimit e dhënia fund e pandëshkueshmërisë. Kush bën alibi, mund t’iu them se ka qenë i njëti Bashkim Europian kur u hoqën vizat, kur hymë në NATO. Përgjegjësi për këtë gjendje është akoma në krye të qeverisë. Duhet dërguar para drejtësisë çdokush që ka abuzuar me besimin dhe me pasurinë e shqiptarëve. Duhet reformë zgjedhore e vërtetë dhe jo sikur, por reformë të vërtetë për demokraci reale”, u shpreh Basha.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb