JOYEUX JOUR DE LA BASTILLE !
GËZUAR DITËN E BASTIJËS !
Për miliona qytetarë francezë 14 Korriku është festë kombëtare. Është Dita e Bastijës. Më 14 korrik 1789, në kulmin e tensioneve sociale e politike në mbarë Francën, protestuesit dolën në rrugët e Parisit për të shprehur revoltën e tyre ndaj mbretit dhe mbretëreshës. Turma e njerëzve të pakënaqur sulmoi Bastijën, kështjellë mbretërore dhe njëherësh burg famëkeq. Shembja e saj simbolizoi më pas shembjen e monarkisë.
Ka do vite që më ka bërë përshtypje, si një “marifet diplomatik”, orvatja për ta skajuar Ditën e Bastijës dhe për të na mbushur mendjen se festa kombëtare e 14 Korrikut lidhet me të quajturën “Ditë e Federatës” të 1790-s. Por ç’është “Dita e Federatës”? Është një manifestim i madh në Champ-de-Mars, në Paris, më 14 korrik 1790 për të festuar pikërisht njëvjetorin e shembjes së Bastijës! Pra, është festimi i ngjarjes, nuk është ngjarja, ngjarja mbetet Bastija dhe nuk mund të jetë festë kombëtare festa e festimit.
Edhe një kuriozitet historik. Për rënien e Bastijës, të shndërruar në kryesimbol të Revolucionit, nuk ka se përse të mos pohohet që, në Francën e shek. XVIII, atë shëmti e urrente më së shumti – sa nuk e shihte dot me sy – vetë aristokracia pariziane.
Lexohet në burimet historike që një ditë prej ditësh të vitit 1784 mbreti Luigj XVI ka thirrur në pallat arkitektin e njohur të saj kohe, z. Linguet, njëherësh edhe urbanist; atij i ka propozuar planin për shembjen e Bastijës dhe për hapjen e hapësirës për organizimin e një sheshi të ri. Duke llogaritur shpenzimet, projekti është shtyrë.
Pikërisht vitin e Revolucionit një tjetër arkitekt urbanist i ka parashtruar mbretit projektin konkret për shembjen e Bastijës dhe organizimin e sheshit përkatës. Quhej Davy de Chavigué. Mbreti është treguar entuziast dhe i ka dhënë urdhër ministrit të financave për të gjetur fondet e nevojshme nëpërmjet një institucioni të njohur si Arka për Përmirësimin dhe Zbukurimin e Parisit.
Z. Chavigué ia kishte filluar nga puna për realizimin e projektit, kur në këto e sipër – vetëm 35 ditë më vonë – populli i Parisit merrte me sulm Bastijën dhe e shembte. E shembte falas, domethënë pa shpenzime. Mirëpo, së paku si ide dhe vullnet, vetë mbreti dhe oborri i tij e kishin shembur Bastijën para revolucionit.
(BalkanWeb)