Drejtuesit tanë më të lartë dhe Kryeministri Rama në prononcimet e tyre publike dhe zyrtare bëjnë me të drejtë krahasime, shumë prej të cilave janë me vlerë dhe me vend. Në politikë, sidomos në prag fushatash zgjedhore por jo vetëm, statistikat dhe krahasimet luajnë rol të rëndësishëm për të treguar përparimin, dinamikat, problemet, alternativat dhe perspektivat e një vendi dhe shoqërie për të ardhmen.
Shqetësimi këtu është shmangia e krahasimeve propagandistike jashtë realiteteve dhe përmbajtjes së tyre. Në të tilla raste, sado të vërteta, ato humbasin efektin dhe besueshmërinë, se baza krahasuese nuk është relevante dhe “nuk ngjit”në publik.
Autori i këtyre radhëve ka jetuar mbi 3 dekada në sistemin e kaluar kur krahasimet statistikore ishin pjesë e propagandës stereotipe. Mirëpo, për fat të keq, dhe disa krahasime të sotme “ngjanë si dy pika uji” me “ paraardhëset“ e tyre moniste. Konkretisht, kohët e fundit, kur flitet mbi arritjet e reformës madhore në fushën e drejtësisë, thuhet se nuk ka ndodhur qysh nga viti 1912 që të dënohen dhe ndëshkohen aq shumë zyrtarë të lartë sa tani! Mirëpo këtu krahasimi “çalon” sepse krahasohen 3 – 4 epoka të cilat janë të pakrahasueshme në çdo aspekt.
Pyetja dhe dyshimi kryesor që lind mbasi dëgjon të tilla krahasime është përse referenca e tyre duhet të “ fluturojë” deri në vitin 1912? Kur ky krahasim me retrospektivë aq të largët në kohë nuk bëhej as në epokën e monizmit. Atëhere referenca fillestare e krahasimeve ishte 1938-ta, si viti kulmor i Mbretërimit të Zogut. Më vonë, për të qenë me të freskëta dhe më bindëse, propaganda komuniste filloi t’i bënte krahasimet me vitin 1960 për tre arsye kryesore: sepse kishin kalur 15 vite nga çlirimi i vendit, atë vit u shpall zyrtarisht ndërtimi i bazës së socializmit dhe u bë ndarja me revizionizmin hrushovian.
Ndërsa sot bëhen krahasime në fushën e drejtësisë me vitin 1912, kur as që mund të flitej për drejtësi dhe demokraci siç kërkohet sot. Ndryshe, kështu i bie të qortojmë për performancën e tyre në këtë fushë Ismail Qemalin, i cili ndenji vetëm 14 muaj në krye të qeverisë, Fan Nolin me 6 muaj qeverisje në kohë trazirash dhe Mbretin Zog. Edhe pse ky i fundit në 15 vitet e tij në pushtet ndërmori disa hapa të njohura në fushën e drejtësisë, dhe pse objektivisht nuk shkonte dot më larg.
Formalisht, krahasimi i gabuar me bazë vitin 1912 “del zbuluar” dhe kur i referohesh periudhës monisste, kur u dënuan me pushkatim, me burgim dhe internim mijra njerëz dhe zyrtarë të lartë të ish rregjimit. Pra, nga ana statistikore, atëhere u dënuan më shumë zyrtarë dhe shtetarë të lartë! Mirëpo a mund të bëhen krahasime të tilla me atë periudhë? E pamundur, ndryshe “ i bën nder” diktaturës“ mbasi atëhere paskemi patur më shumë “drejtësi popullore” siç njihej!
Krahasimi tjetër i gabuar dhe euforik po në këtë fushë është se asnjë vend tjetër në rajon, madje as në BE nuk ka kryer një reformë të tillë në drejtësi! Ky fakt është i vërtetë por kjo ka ndodhur sepse asnjë vend tjetër në BE dhe në rajon nuk ka patur problematika të tilla ulëritëse me drejtësinë si vendi ynë! Dhe raporti më i fundit i Projektit Botëror të Drejtësisë i OKB-së në tetor e dëshmon qartë këtë dukuri shqetësuese, kur na rendit në vendin e 107 nga 142 shtete për korrupsionin masiv. Kësisoj, në shtetet anëtare të BE-së, pavarësisht dukurive negative nuk ka lindur nevoja për veting si te ne, veç faktit që atje sistemi i drejtësisë është konsoliduar shekuj më parë dhe do të duhet kohë që sistemi ynë të krahasohet me to! Ja pse dhe kjo reformë po kryhet tani, as për meritë të njerit apo tjetrit dhe as të faktorit ndërkombëtar, por kryesisht se tani “nuk mban më ujë pilafi”!
Po aq pa vend janë krahasimet e largëta në kohë dhe lidhur me samitet apo vizitat e shtetarëve të lartë në Tiranë. Si me rastin e vizitës së Presidentit francez Macron në Tiranë, tetorin e kaluar, duke e propaganduar atë me të madhe si të parën vizitë të këtij lloji nga viti 1912! Kjo është e vërtetë, por lind sërish i njëjti problem, se ajo vizitë del jashtë realitetit historik. Ku ka njeri të mendojë se nga viti 1912 dhe deri në mbarimin e Luftës së II Botërore mund të vinte në Shqipëri një kryetar shteti apo qeverie, me përjashtim të Ish Ministrit të jashtëm italian, Kontit Çiano për arsye të tjera? Sa për periudhën e komunizmit, dihet tashmë se shumë kryetarë shteti dhe qeverie donin të vinin, por rregjimi ua kishte “vënë kufirin te thana” Madje, dhe që të vinte një ministër tregtie kërkoheshin dhjetra miratime deri lart! Rasti i vizitave të Shtrausit, sërish private ishte përjashtim dhe reflektim i shpresës së rregjimit për t’i marrë Gjermanisë Perendimore miliarda reparacione lufte!
Duke kaluar në një format tjetër krahasimi ndërkombëtar, me rastin e zgjedhjes për herë të parë në KS të OKB-së, në takimet e zhvilluara në janar 2023 në Nju Jork, nga ana jonë u tha me zë të lartë se për herë të parë nga viti 1955 kur hymë në OKB u zgjodhëm në Këshillin e saj të Sigurimit (2022 – 2023). Dhe ky krahasim nuk është relevant, sepse dihet që gjatë diktaturës, ndonëse i kishim mundësitë të zgjidheshim dhe në forumet e OKB-së, asnjëherë nuk u synua një gjë të tillë. Kjo për shkak të qëndrimit tonë të ftohtë karshi OKB-së, ku Shqipëria, krahas Misionit tonë në Nju Jork përfaqësohej në Asamblenë e saj të Përgjithshme një herë në vit me ministrin e jashtëm dhe aq. Pastaj, nuk mund të ndodhte që të zgjidheshim në atë forum të lartë, mbasi dihet se ne nuk lejoheshim të shtrëngonim as duart me përfaqësuesit e SHBA-ve dhe të BS-së që ishin gjithë kohës atje në tavolinë, se i kishim shpallur me Kushtetutë armiq. Mundësia praktike për t’u zgjedhur në forumet e OKB-së u realizua vetëm mbas vitit 1990.
Mirëpo atë vit ishte vërtet “ çmenduri” siç thotë Rama të mendohej anëtarësimi atje kur ishim jashtë çdo strukture tjetër Euro -Atlantike. Sidomos zgjedhja në KS të OKB-së kërkon demarshe disavjeçare diplomatike dhe konsensus ndërkombëtar, të cilat duan kohën e tyre dhe pa kriza, siç patëm ne në vitet 90. Ndërkohë më vonë patëm përparësi të tjera, sidomos integrimi Euro-Atlantik dhe OKB-ja priste, se aty ishte. Megjithatë, nuk ka fare vend për eufori; se dhe vende të tjera të rajonit këtë e kanë realizuar më pare; madje Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë patur dhe Kryetarë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së; Shkupi tani do të ketë dhe Zv. Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, pozicioni më i lartë i një zyrtari nga Rajoni ynë.
Në këto kushte, baza më e drejtë referuese për shumicën e krahasimeve do të ishte viti 2000, kur hymë në Procesin e Stabilizim – Asociimit me BE-në apo dhe më vonë, me vitin 2013 kur erdhi në pushtet PS-ja, e cila bashkë me partitë e tjera ideuan dhe po zbatojnë reformën në drejtësi, me mbështetjen e pazëvendësueshme të SHBA-ve dhe të BE-së. Këtë e bëri me të drejtë në takimin më 16 Dhjetor me kuadrot e policisë ministri i Brendshëm Ervin Hoxha kur pohoi se më 2024, vrasjet u pakësuan tri herë kundrejt vitit 2013!
Rastet e tjera me baza të pakrahasueshme janë kur bëhen krahasime, sipas të cilave ne ua kalohemi dhe vendeve më të zhvilluara europiane në disa tregues sintetikë, duke përfshirë dhe rritjen ekonomike. Kjo ka ndodhur qysh 25 vite më pare, kur pretendohej se ia kishim kaluar Gjermanisë! Në fakt, shifrat ishin të sakta, por krahasimi nuk shkonte për shkak të dy bazave krejtësisht të ndryshme të krahasimit midis dy vendeve tona si atëhere dhe tani, kur sërish ritmet e rritjes sonë ekonomike janë më të larta se Gjermania dhe vende të tjera të BE-së. Mirëpo kjo ndodh thjesht se vende si Gjermania, Italia, Britania e Madhe, duke qenë ndër 7 vendet më të industrializuara të botës kanë një bazë dhe nivel pakrahasueshmërisht më të lartë zhvillimi se ne; ndaj, falë kësaj “steke” të lartë, ato kanë dhe do të kenë rritje më të vogël ekonomike se sa ne; ca më tepër kur ne nuk kemi model ekonomik, por kemi më shumë treg/pazar se se sa ekonomi!
Po kështu, ditët e fundit, Kryeministri Rama përmendi Indeksin e Bazelit 2024 lidhur me riskun e pastrimit të parave, ku ne jemi më lart se Gjermania. Në fakt, aty tregohet se ne ia kalojmë dhe SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar dhe disa vendeve të tjera të BE-së, sikurse jemi më mbrapa vendeve të tjera si Maqedonisë së Veriut, Greqisë, etj. Mirëpo dhe këtu krahasimi ka vetëm vlera statistikore sepse SHBA-të, Gjermania, Britania etj vërtet e kanë riskun e pastrimit të parave më të madh, por lufta dhe rezultatet e tyre janë shumë më të larta, falë institucioneve më të konsoliduara që kanë, ku ne çalojmë jo pak dhe nivelit më të ulët të ekonomisë informale; e cila te ne është mbi 50 për qind nga 32 për qind e mesatares botërore! Ca më tepër, po t’i referohemi shumicës dërmuese të treguesve kryesorë social-ekonomikë, del qartë se ne jemi shumë prapa nga vendet e BE-së. Pa u zgjatur në tregues të tjerë të njohur, po përmendim krahasimin më domethënës; sipas të dhënave më të fundit të EUROSTAT, Shqipëria ka të ardhurat më të ulta për frymë, me 37 për qind por dhe çmimet më të larta me 93 për qind të mesatares së BE-së!
Madje jo vetëm me Europën, por dhe me Rajonin, me ndonjë përjashtim të rallë, ne jemi shumë prapa.
Kështu, GDP-ja jonë është mbi 3 herë më e vogël se e Malit të Zi, kur ky i fundit, vendi më i pasur i rajonit i ka të ardhurat vjetore për frymë 2 herë më të vogla se Bullgaria, vendi më i varfër i BE-së, që ne pretendojmë se ia kalojmë! Sipas revistës së specializuar “Monitor”, paga mesatare te ne është sa 30 për qind e mesatares rajonale. Në vitin 2025 ne pritet të subvencionojmë bujqësinë 25 herë më pak se Serbia, ndonëse ajo te ne ze një pjesë më të madhe në GDP-së.
Si përfundim, është momenti të heqim dorë nga analogji, paralelizma dhe krahasime të pakrahasueshme, të cilat jo vetëm nuk shtojnë ndonjë vlerë në arritjet tona të njohura, por i zbehin ato, madje kthehen në bumerang. Një vend serioz që synon të anëtarësohet sa me shpejt në BE duhet ta zhvendosë theksin nga premtimet, betimet dhe krahasimet propagandistike euforike, te krahasimi me objektivat e të ardhmes dhe Shqipëria 2030. Sepse vetëm ato pasqyrojnë dinamikën dhe rëndësinë e vërtetë të ngjarjeve dhe arritjeve tona të ardhëshme.
(BalkanWeb)