Partizani mbetet në merkato edhe në këto ditë të fundit. Edhe pse kanë pasur 28 ditë kohë për të mbyllur gjithë boshllëqet e krijuara në merkato nga largimet e lojtarëve kryesorë në Ukrainë, në klubin e kuq aktualisht janë dy role vakante, që kërkojnë me patjetër afrime urgjente.

Me largimin enigmatik të Ismail Sodiq, në skuadër ka mbetur një boshllëk në krahun e djathtë. Osmanllari është i vetmi lojtar natyral i atij roli, por i riu është nxjerrë thuajse jashtë planeve nga Veselinoviç, pasi deri më tani nuk e ka llogaritur as si zëvendësues.

Edhe nga e majta Buxhelaj është i vetmi lojtar roli, por të paktën ai pëlqehet nga trajneri. Boshllëk të madh ka edhe në mesfushë, aty ku largimi i Rrapajt ka krijuar një “gropë” të madhe, që në këto dy ditë të mbetura duket thuajse e pamundur të plotësohet.

Klubi po punon për ardhjen e një mesfushori dhe shanset janë që në këto dy ditë të ketë zyrtarizime, por mbetet të shihet sesa cilësor do të jetë afrimi i radhës. Deri më tani nuk ka asnjë emër konkret, por vëmendja është spostuar në këtë rol. Plani B është Gjergji Kote, i cili aktualisht është i dëmtuar, por pas rikthimit në fushë pritet që shpejt të marrë përgjegjësi në mesfushë, sidomos në aspektin krijues.

Sakaq, sulmi duket i plotësuar me ardhjet e Eleke, Guxhufit dhe Podstrelov. Në mbrojtje Çipi e shton akoma më shumë konkurrencën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb