Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se Izraeli dhe Libani kanë pranuar marrëveshjen për armëpushimin.
“Kam lajme të mira nga Lindja e Mesme. Kam folur me kryeministrat e Izraelit dhe të Libanit dhe qeveritë e tyre kanë pranuar propozimin e SHBA-së që t’i japin fund konfliktit. Falënderojë presidentin e Francës, Emmanuel Macron, që ndihmojë në arritjen e kësaj marrëveshje”, ka thënë presidenti i SHBA-së, Biden.
Ai tha se marrëveshja do të hyjë në fuqi të mërkurën në orën 04:00 me orën lokale dhe se pas kësaj kohe, luftimet në kufi do të ndalen. Biden tha se Hezbollahu nuk do lejohet të rigrupohet.
Biden tha se luftën nuk e nisi Izraeli, as populli i Libanit dhe as Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, nga fillimi i luftës, më tepër se 70 mijë izraelitë janë detyruar të jetojnë si refugjatë. Biden tha se ndihet i lumtur që palët kanë arritur marrëveshje për armëpushim, pasi ky ishte konflikti më i përgjakshëm mes Izraelit dhe Libanit i ndodhur ndonjëherë.
Biden iu drejtua Gazës, duke thënë se njerëzit atje “meritojnë një fund të luftimeve dhe zhvendosjes”. “Njerëzit e Gazës kanë kaluar nëpër ferr” dhe kanë vuajtur “shumë”, shtoi ai. Presidenti amerikan deklaroi se do përpiqet që të sjellë paqe edhe në enklavën e Lindjes së Mesme.Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se zgjidhja vjen vetëm nëse Hamasi liron pengjet e marra peng nga Izraeli gjatë vitit të kaluar. “SHBA do vazhdojë përpjekjet që të ketë qetësi në Gaza”, ka thënë ai.
Biden guxoi edhe më tej, duke deklaruar se SHBA është e gatshme për të bërë një “marrëveshje historike” për të krijuar një shtet palestinez dhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Arabisë Saudite dhe Izraelit. “Besoj se agjenda e pajtimit që po flas do të ketë zgjidhje”, tha ai. Numri një i Shtëpisë së Bardhë tha se derisa palët po arrijnë marrëveshje për armëpushim, paqja është e mundur.
Biden dhe Macron lëshuan një deklaratë të përbashkët
Ndërsa Shtetet e Bashkuara ka inkurajuar prej kohësh këtë marrëveshje armëpushimi, edhe Franca ka dhënë mbështetjen, pasi ka lidhje historike me Libanin.
Presidenti francez Emmanuel Macron lëshoi një deklaratë të përbashkët me presidentin amerikan Joe Biden pas shpalljes së marrëveshjes, duke u angazhuar të dy kombet të punojnë me Izraelin dhe Libanin për të siguruar që marrëveshja të zbatohet plotësisht.
“Ne mbetemi të vendosur për të parandaluar që ky konflikt të kthehet në një cikël tjetër dhune,” thuhet në deklaratë dhe shtohet se ata gjithashtu do të angazhohen për të mbështetur përpjekjet për rindërtimin e Forcave të Armatosura Libaneze dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik të Libanit./BBC/