Shkëmbimi i përvojave dhe përfitimi i bursave për studim në vende të ndryshme të botës, është përparësia për studentët që synojnë një karrierë të suksesshme në të ardhmen. Në kuadër të projekteve të mobilitetit, ambasadori austriak në Shqipëri, Johan Sattler, ishte i pranishëm në universitetin “Luarasi”. Ai prezantoi para studentëve procedurën e aplikimit për bursa në shkollën verore në Alpbach të Austrisë dhe iu bëri thirrje që të përfitojnë nga kjo mundësi, e vlefshme deri në 29 mars.

“Është një kënaqësi për mua të jem sot këtu në universitetin tuaj. Alpbach është një fshat i vogël në Austri i quajtur ndryshe “vendi i mendimtarëve”. Ky vend sjell së bashku këndvështrime e dimensione të ndryshme, jo vetëm në politikë e ekonomi por edhe në çështjet sociale e në art. Është një panoramë e gjerë ku rreth 5 mijë të rinj nga Europa dhe bota mblidhen për shkëmbim përvojash. Nëse mendoni se projekti ju intereson, duhet të aplikoni për të përfituar nga bursat që ne ofrojmë çdo vit”.

Rektori i universitetit, Prof, Dr. Et’hem Ruka, pohoi se studentët do të aplikojnë për të përfituar nga kjo përvojë e shkëmbimit të kulturave dhe vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Austrisë janë solide.

Në fjalën e tij ambasadori austriak u ndal edhe në promovimin e turizmit në Shqipëri duke vërejtur se nevojitet një sistem dhe një infrastrukturë më e zhvilluar për turistët vendas e të huaj. Sattler tha se studentët pjesëmarrës në projektin Alpbach duhet të flasin për problematikat dhe të përpiqen më shumë për progresin e vendit.

“Shqipëria ka ende nevojë që të zhvillohet përsa i përket turizmit, pasi përveç promovimit të pasurive natyrore, nevojitet një zhvillim më i madh i infrastrukturës. Është një sfidë që duhet ta çoni deri në fund, duhet të gjeni një sistem. Ka ende shumë për tu bërë në Shqipëri, por më e rëndësishmja është që ju si studentë, të angazhoheni, të përpiqeni që zëri juaj të dëgjohet dhe të bëheni pjesë e atyre shqiptarëve që dëshirojnë progresin e vendit”.

Prej disa vitesh, “Luarasi” është pjesë e European Forum Alpbach, një ndër forumet më jetëgjatë në Europe, ku marrin pjesë më shumë se 5000 studentë nga 80 vende të botës, pedagogë, specialistë dhe profesionistë të spikatur nga fusha të ndryshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb