Johann Wadephul pritet të jetë ministri i ri i Jashtëm i Gjermanisë, sipas disa burimeve mediatike gjermane të dielën.

Portali Table Media raportoi se Wadephul, i cili është 62 vjeç dhe anëtar i Bashkimit Kristian Demokrat (CDU), do të marrë drejtimin e politikës së jashtme të vendit, duke zëvendësuar Annalena Baerbock. Ky informacion u përcoll nga disa media ndërkombëtare.

Qeveria e re që pritet të udhëhiqet nga kancelari Friedrich Merz do të nisë punën në fillim të muajit maj. Ajo do të përbëhet nga partia e Merzit, CDU, partia motër e saj në Bavari, Bashkimi Kristian Social (CSU), si dhe Partia Social Demokrate (SPD) e qendrës së majtë. Emrat për pozitat kryesore të kabinetit pritet të bëhen publikë të hënën.

CDU planifikon të mbajë një mbledhje të vogël partiake në Berlin të hënën për të ratifikuar marrëveshjen e koalicionit, e cila duhet gjithashtu të miratohet nga anëtarët e SPD-së në një votim që përfundon të martën. Wadephul, një politikan me përvojë nga landi verior gjerman Schleswig-Holstein, do të jetë ministri i parë i Jashtëm nga radhët e CDU-së pas pothuajse gjashtë dekadash. Ai pritet të fitojë këtë post përpara Armin Laschet, ish-kandidatit të CDU-së për kancelar në zgjedhjet e vitit 2021.

Sipas raportit të Table Media, Karin Prien do të marrë detyrën si ministre e Arsimit në qeverinë e re. Një zëdhënës i CDU-së refuzoi të konfirmojë zyrtarisht këto emërime për agjencinë gjermane të lajmeve dpa të dielën. Në total, CDU do të drejtojë shtatë nga 17 ministritë në qeverinë e re, ndërsa SPD do të mbajë gjithashtu shtatë, dhe tre të tjera do të kalojnë në duart e CSU-së.

Të tre partitë arritën marrëveshjen për krijimin e koalicionit qeverisës në fillim të këtij muaji, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në shkurt.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: