Shefi më jetëgjatë i kabinetit i ish-Presidentit Donald Trump po paralajmëron se kandidati presidencial republikan plotëson kriteret e përkufizimit të një fashisti dhe thotë se kur ishte në detyrë, ai kishte sugjeruar se Adolf Hitler “kishte bërë disa gjëra të mira”.

Gjenerali në pension John Kelly, i cili shërbeu në Shtëpinë e Bardhë nga viti 2017 deri në vitin 2019, i bëri komentet në intervista për gazetën The New York Times dhe revistën The Atlantic, botuar të martën. Ato janë në vazhdën e paralajmërimeve të kaluara të ish-zyrtarëve të lartë të administratës së ish-presidentit Trump dhe bëhen ndërsa kanë mbetur më pak se dy javë nga zgjedhjet e fundit.

Rivalja demokrate e zotit Trump, Kamala Harris tha se këto komente tregojnë se kush është “në të vërtetë” ish-presidenti dhe se çfarë lloj komandanti i përgjithshëm do të ishte ai.

Gjen. Kelly ka qenë prej kohësh kritik i zotit Trump dhe e ka akuzuar atë se i ka quajti veteranët e vrarë në luftra “dështakë”. Paralajmërimet e tij të fundit vijnë ndërsa republikani Trump po kërkon një mandat të dytë dhe gjatë fushatës është zotuar se do të zgjerojë në mënyrë dramatike përdorimin e ushtrisë dhe ka lënë të kuptohet se do të përdorte forcën ndaj amerikanëve që ai i konsideron “armiq të brendshëm”.

“Ai komentoi më shumë se një herë duke thënë: ‘Hitleri bëri edhe disa gjëra të mira,’” kujtoi zoti Kelly në intervistën për revistën New York Times, duke shtuar se ai vetë zakonisht i mbyllte biseda të tilla duke thënë se “‘asgjë që ka bërë (Hitleri) … nuk ishte e mirë’”, por se zoti Trump herë pas here i rikthehej temës.

Në intervistën me revistën Atlantic, zoti Kelly kujton se kur ish-Presidenti Trump ngriti idenë e nevojës për “gjeneralë gjermanë”, zoti Kelly e pyeyi nëse e kishte fjalën për “gjeneralët e Bismarkut”, duke iu referuar Otto von Bismarckut, kancelarit që mbikëqyri bashkimin e Gjermanisë. “Me siguri nuk e keni fjalën për gjeneralët e Hitlerit”, kujton John Kelly se e kishte pyetur zotin Trump. Ish-presidenti ishte përgjigjur: “Po, po, gjeneralët e Hitlerit”.

Zëdhënësi i fushatës së zotit Trump, Steven Cheung i mohoi këto pohime të martën, duke thënë se zoti Kelly “e kishte bërë veten qesharak duke përhapur këto histori të sajuara”.

Zonja Harris përsëriti paralajmërimet e saj për gjendjen mendore të zotit Trump dhe synimet e tij për presidencën.

“Është një dritare që tregon se cili është në të vërtetë Donald Trump-i, nga njerëzit që e njohin më mirë, nga njerëzit që kanë punuar me të në Zyrën Ovale,” u tha zonja Harris gazetarëve të mërkurën.

Ajo shtoi se zoti Trump i admironte gjeneralët e Hitlerit sepse ai “nuk do një ushtri që është besnike ndaj Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, ai do një ushtri besnike ndaj tij. Ai dëshiron një ushtri që t’i jetë besnike atij personalisht.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: