Sa shumë po flitet këto ditë për “Joker”… ! Është filmi më i fundit të regjisorëve Todd Phillips dhe Scott Silver, me aktor protagonist Joaquin Phoenix. I shtyrë nga interesi i madh që ky film ka shkaktuar në publikun artdashës dhe në mediumet e kinematografisë, me kolegë të mi shkova mbrëmë në kinema për ta parë.


I frymëzuar edhe nga shkëmbimi i mendimeve që patëm me njëri-tjetrin pas filmit, nuk mund të rrija pa hedhur në rreshta për të ndarë edhe me të tjerë mbresat për mesazhet shumë të forta të kësaj fabule të realizuar dhe aktruar mrekullisht, e që provokon debate shumë të thella për ndërveprimin tonë human. Natyrisht, nuk do  zbuloj asnjë ngjarje që mund të shuante kuriozitetin e atyre që nuk e kanë parë ende filmin.


Çdo frekuencë në këtë film përshkruante me imtësi karakterin shumë kompleks të personazhit kryesor. Gjenialisht ai ishte i vendosur përballë shoqërisë dhe pasqyrimeve të saj si shembëlltyra mes realitetit dhe iluzioneve, emocioneve dhe fantazisë, dashurisë dhe hakmarrjes, familjes së dëshiruar e asaj të munguar, mirësisë dhe ligësisë, çiltërsisë dhe intrigës, vërtetësisë dhe hipokrizisë, miqësisë dhe armiqësisë, kujdesit dhe talljes, lumturisë dhe dhimbjes, e shumëçkaje e shoqëron njeriun qysh kur lind e deri sa rritet dhe formohet mes dëshirave, ambicieve e ëndrrave për një jetë në harmoni mes botës së brendshme shpirtërore-mendore dhe asaj të jashtme.


Është jo e thjeshtë dhe njëkohësisht as në kompetencën time të plotë të marr përsipër të analizoj fenomene që prekin fusha të gjera të jetës, duke filluar nga sociologjia, psikologjia, politika, media, arti, etj. Por nuk është as e vështirë për të qënë jo indiferent në raport me problematikat e panumërta që derivojnë nga deformimi që sistemet dhe vetë shoqëritë i kanë bërë njeriut, vlerave, normave dhe dimensionit solidar që na mban të lidhur në familje dhe komunitet.

Për ta patur pak më të thjeshtë këtë përpjekje narrative, do preferoja që të shkruaja në vetën e tretë, nëpërmjet këndvështrimit të “Joker”-it, ose “kllounit” në shqip.

I gjendur në oqeanin e pamundësive për të pozicionuar veten në shoqëri e për të ndërtuar një jetë më të merituar, ai u ndesh kryesisht me energjinë e së keqes të bartur që nga njerëzit në rrugë, e deri te ata në institucione dhe ekrane televizive. Në çdo hap të tij, në çdo frikë të tij, në çdo vallëzim të tij, në çdo kurajo apo hezitim të tij, ai u përpoq që me përqeshjen ironike dhe patologjike të një personazhi të kamufluar si “klloun”, të shfrynte gjithë dufin e revoltës  kundrejt të keqes, që kishte veshur maskën e qytetarit, të psikologut, të agjentit social, të kolegut, të punëdhënësit, të policit, të politikanit, të komedianit, të “showman”-it, e të gjithkujt që tradhëtoi besimin e tij njerëzor.

Kur ai “luftonte” me imazhin e trilluar për veten teksa jetonte dramën dhe fatin e tij tragjik, të gjithë e nëpërkëmbën me tallje e përbuzje, duke zgjuar brenda tij komedianin brilant që mund ta kuptonte vetëm një pjesë e vogël njerëzish me  shpirt të pastër, mendje të ndritur dhe zemër të madhe.

Në shumë raste ai u përpoq t’iu tregonte të gjithëve se e dinte që kishte vështirësi patologjike, që e bënin të dallueshëm nga të tjerët dhe i përcaktonin me të drejtë statusin e problematikut, të dhunshmit, kriminelit apo keqbërësit. Thuajse askush nuk u përpoq të kuptonte qoftë edhe me pak kujdes turbullirën e tij, më së shumti shpirtërore sesa mendore. Të gjithë e zhgënjyhen në çdo hap të jetës, duke ia bërë mal mërzinë, dëshpërimin, hidhërimin dhe duke i vrarë durimin për të qënë i dobishëm, si i ndryshëm mes të barabartëve.

E gjitha kjo e lodhi, deri sa më në fund vendosi ta shihte jetën e tij jo më si një tragjedi, por si një komedi. E ndaj, zgjodhi të vallëzonte dhe aktronte me lirinë që i jepte fuqia se nuk kishte më asgjë për të humbur. E bëri këtë kundër të gjithë atyre që e trajtuan jo si një qënie humane, por si një objekt për argëtim apo konsum politik e mediatik. Ai i përqeshi ata, jo më me butësinë e durimit që e karakterizonte, por me urrejtjen dhe egërsinë që e mori si hua pak nga pak e ditë pas dite, nga e gjithë shoqëria. Madje, zgjodhi ta bëjë këtë jo më duke rendur për t’u fshehur nga faji i kryer, por në sytë e gjithë opinionit publik.

Ishte pikërisht ky moment që i shërbeu jo si një fund, por si një fillim për të injoruar këdo që nuk e deshi si një bashkëqytetar të kësaj shoqërie. Por me fatkeqësinë dhe krimet e tij, të paktën zgjoi vëmendjen e munguar, për të kthyer shikimin tonë më shumë nga e vërteta, mirësia, sinqeriteti, e bukura dhe e drejta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb