Anëtarja e Kryesisë së PD, Jola Hysaj ka pranuar kandidimin në listën e hapur të Qarkut të Durrësit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hysaj shkruan se se vendimin nuk e ka marrë për karrige apo pushtet, por për të çuar përpara, siç shprehet, një betejë, betejën për dinjitetin e qytetarëve.
“E di që kjo fushatë është më e vështira që kam bërë ndonjëherë. Sepse ky regjim ka blerë frikën, ka blerë varfërinë dhe ka blerë heshtjen e shumë njerëzve. Por unë nuk pranoj të hesht! Zgjedhjet e 11 majit nuk janë thjesht për një deputet më shumë në Kuvend. Janë një referendum për të thyer frikën. Janë një betejë për drejtësinë, për mirëqenien dhe për të rikthyer shpresën që ky pushtet po përpiqet ta shkelë”, shprehet Hysaj.
Postimi
Të nderuar bashkëqytetarë të Qarkut Durrës,
Prej 20 vitesh jam angazhuar në politikë me një parim të palëkundur: të mos bëj kurrë kompromis me padrejtësinë dhe të them të vërtetën ashtu siç është. E di që ndonjëherë ky qëndrim më ka bërë të dukem e ashpër, arrogante apo edhe “burrërore”. Por unë nuk kam hyrë në politikë për të qenë e pranueshme për të gjithë – kam hyrë për të luftuar për njerëzit që nuk kanë zë, për ata që nuk pranojnë të nënshtrohen për një vend pune, për një shërbim apo për një copë shprese.
Sot, kam marrë një vendim të rëndësishëm: të kandidoj në listën e hapur të Qarkut Durrës. Jo për karrige, jo për pushtet, por për të çuar përpara një betejë që është më e madhe se unë – betejën për dinjitetin tuaj.
E di që kjo fushatë është më e vështira që kam bërë ndonjëherë. Sepse ky regjim ka blerë frikën, ka blerë varfërinë dhe ka blerë heshtjen e shumë njerëzve. Por unë nuk pranoj të hesht! Nuk mund të hesht kur shoh se Durrësi po mbulohet nga betoni, ndërsa fshatrat mbeten pa ujë të pijshëm dhe ndriçim. Nuk mund të hesht kur shoh që rinia largohet çdo ditë, ndërsa pushteti tallet me të ardhmen e tyre. Nuk mund të hesht kur shoh që baballarët rrinë të përkulur nga shqetësimet dhe nënat lotojnë për fëmijët që detyrohen të marrin rrugën e emigrimit.
Zgjedhjet e 11 majit nuk janë thjesht për një deputet më shumë në Kuvend. Janë një referendum për të thyer frikën. Janë një betejë për drejtësinë, për mirëqenien dhe për të rikthyer shpresën që ky pushtet po përpiqet ta shkelë.
Unë nuk premtoj mrekulli. Por premtoj një gjë: Nuk do t’ju tradhtoj. Nuk do të hesht. Do të jem aty, në vijën e parë, për të thënë të vërtetat që shumë të tjerë nuk guxojnë t’i thonë.
Nëse besoni se Durrësi meriton më shumë.
Nëse besoni se Shqipëria nuk mund të vazhdojë kështu.
Nëse besoni se është koha për të pasur një zë të fortë dhe të pakorruptuar në Parlament…
Më 11 maj, votoni Jola Hysaj. Votoni Partinë Demokratike.
Qarku Durrës, PD
Lista e mbyllur
Oerd Bylykbashi
Gent Strazimiri
Manjola Luku
Artan Luku
Igli Cara
Lista e hapur
Edlira Harizi
Skënder Dika
Jola Hysaj
Aulon Kalaja
Ilirjana Kuçana
Arian Ndoji
Anida Ulliri
Ilir Haznedari
Emri Vata
Shyqyri Myrtollari
Petro Vokopola
Viola Kapedani
Pëllumb Shullazi
Adriatik Hoxha
(BalkanWeb)