HIMARE – Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, mban që prej një viti edhe nënshtetësinë greke. Gazeta greke “Proto Thema” ka publikuar në numrin e djeshëm vendimin e marrjes së nënshtetësisë greke të Goros, të botuar në Fletoren Zyrtare të shtetit grek.
Me titullin “I dhamë nënshtetësinë dhe nxorëm vetë sytë tanë”, gazetari Panajoti Savidhi i kujton kreut të Bashkisë së Himarës se edhe pse në letra deklarohet si përfaqësues i minoritetit etnik grek në Himarë, në të gjitha deklaratat publike në Shqipëri, Jorgo Goro ka deklaruar se në Himarë nuk ekziston asnjë element grek.
Bazuar ne Fletoren Zyrtare te shtetit grek me numer F.5631/2013/0004778/29″04″2014, me vendim të Sekretariatit të Administrimit të Epirit dhe Maqedonisë Perëndimore, që u dha duke u bazuar në përcaktimet e nenit 23 të ligjit 3838/ 2010 (ÖÅÊ 49/Á), është pranuar kërkesa e depozituar që prej datës 30.7.2013 për marrjen e nënshtetësisë greke të të huajit homogjen: Jorgo Goro, i biri i Sokratit, i cili është mbajtës i Kartës Speciale të Homogjenit, me numër A479519, që ka lindur në Shqipëri, më 9.12.1965, dhe është banor i Bashkisë së Janinës.

I pyetur nga gazeta “Panorama”, kreu i Bashkisë së Himarës tha se nënshtetësinë greke e ka marrë prej më shumë se një viti. “Po, është e vërtetë, nuk ka asnjë problem në këtë mes. Pasaportën greke e kam marrë prej më shumë se një viti”, u shpreh Goro.

Sipas gazetës greke, ky zyrtar i shtetit shqiptar, i cili ka marrë nënshtetësinë greke, po del kundër qëndrimeve dhe interesave të Greqisë. Në vijim të shkrimit të saj, gazeta greke “Proto Thema”, nisur nga qëndrimet e Goros për prishjen e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, shkruan se “aktiviteti antigrek i Goros vijon rregullisht edhe me prishjen e kishën se Shën Thanasit në Dhërmi”.

Për këtë, gazeta citon një nen të Kushtetutës greke, kur një shtetas i saj e humb nënshtetësinë. Sipas gazetës, “nënshtetësia greke humbet kur gjatë qëndrimit të tij jashtë vendit, bën në interes të vendit të huaj veprime që janë të papranueshme me identitetin grek dhe interesat e Greqisë”.

Gjatë një interviste televizive në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit të këtij viti, Goro u shpreh se emri i tij është Gjergj, i cili më vonë është bërë Jorgo, ndërsa mbështeti qëndrimin e tij të mëparshëm se në Himarë nuk ka minoritet etnik grek.
(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: