Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24 tregoi planin e opozitës për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Sipas saj, firmosja e koalicionit opozitar nga partitë aleate të PD-së, është një shembull që tregon vullnetin e opozitës për t’i thënë stop zgjedhjeve fasadë në Shqipëri.

Tabaku është e sigurt që më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën. Nëse opozita nuk bëhet pjesë e tyre as zgjedhjet nuk do të zhvillohen, ngul këmbë ajo.

“Kur të vjen fundi politik përdor gjithë arsenalin që të ka mbetur, por këtë radhë Rama është vetëm. Është figurë e djegur politike, cikli i tij ka përfunduar. Ai nuk do ta çojë dot vendin në zgjedhje pa opozitën. Nuk ka zgjedhje fasadë, nuk kanë për të zhvilluar zgjedhje pa opozitën. Me rritjen e presionit, izolimin e qeverisë, do vijë dita për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në këtë rast pretendimet tona janë të drejta. Mund të duket utopi, por vendosja e një sistemi të ri, ecja përpara një rruge të pashkelur është një zgjidhje për shumë shqiptarë”,- u shpreh Tabaku.

Sipas saj, sot Partia Demokratike është më e fortë se kurrë. Një pretendim të tillë, zonja Tabaku thotë se e mbështet në sondazhet e fundit.

Më tej, ajo ka komentuar edhe krijimin e partisë më të re opozitare Bindja Demokratike, për të cilën tha se çdo forcë politike quhet e tillë kur provohet në garë.

“Interesi publik duhet vendosur përpara atij persona. Kushdo forcë politike që punon për të larguar Ramën është i mirëpritur. Uroj që Patozi ta provojë veten në garë, të provohet si forcë politike. Ka ardhur momenti ashtu siç u bashkuan partitë opozitare, të mos lëmë jashtë asnjë vlerë, këdo që ka vlera të bvashkohet me ne. E keqja është një, e keqja po na qeveris. Por kush i jep oksigjen Ramës është pjesë e një opozite false”,- sqaroi ajo.

Sa për protestën kombëtare të thirrur më 11 maj, Tabaku tha se është pozitiv fakti që nga radha në radhë më shumë qytetarë, familjarë po i bashkohen asaj. “Bashkë me planin për protestat po punojmë paralelisht për një program elektoral kombëtar”,- vijoi Tabaku.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb