Kandidatja për deputete në listën e hapur të Partisë Demokratike në Tiranë, Jorida Tabaku, ka zhvilluar një vizitë në një nga fasoneritë e kryeqytetit, ku ka takuar nga afër punonjëset dhe ka biseduar me to për vështirësitë e jetës së përditshme dhe kostot e larta të jetesës.
Tabaku shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe mbështetjen e grave punëtore, të cilat, siç tha ajo, janë heroinat e vërteta të ekonomisë familjare shqiptare.
“Jam shumë e gëzuar që zonjat më mbështesin dhe realisht shumë e privilegjuar për këtë mbështetje. Ju falenderoj që më dhatë mundësinë t’ju flas,” – u shpreh Tabaku.
Duke folur për programin ekonomik të Partisë Demokratike, Tabaku theksoi se vendosja e taksës së sheshtë 10% është një nga politikat më të rëndësishme që do të ndikojë drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve dhe rrogat e punëtorëve.
“E di shumë mirë që zgjoheni më herët se unë, që pas punës shkoni në shtëpi dhe merreni me punët atje, përfshirë edhe buxhetin e familjes. E di sa mirë e kuptoni kur flas për taksën e sheshtë 10%. Sepse kjo do të thotë më shumë para në xhepin tuaj dhe të familjes suaj. Më shumë para për sipërmarrjen që do të përkthehet në më shumë rroga për ju,” – tha Tabaku.
Kandidatja demokrate theksoi se vota e 11 majit duhet të jetë një votë për ekonominë e familjes, për më shumë drejtësi dhe dinjitet në punë, dhe për një shtet që i lehtëson, jo i rëndon qytetarët.