Drejtuesja politike për Diasporën në PD, Jozefina Topalli ndodhet në New York ku është duke zhvilluar takime me shqiptarët të cilët jetojnë në SHBA.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në Kishën e Zojës Shkodër në New York, mbushur me shqiptarë Topalli shprehu brengën e largimit të shqiptarëve nga vendlindja dhe domosdoshmërinë për votën e emigrantëve si mundësia kyçe, që Shqipëria ka, për të mos rrëshqitur drejt zbrazjes së parikuperueshme.

Në fjalën e saj përpara shqiptarëve, Topalli preku plagën e shoqërisë shqiptare sot: “Shkollat po boshatisen, ekonomia po dobësohet. Familjet po ndahen, dhe shpirti i bashkësisë sonë po copëtohet. Na duhet të ndërtojmë një vend ku shpresa dhe mundësitë të jenë të pranishme për të gjithë. Për këtë na duhet ndihma juaj”.

Fjala e plotë e Jozefina Topallit:

Pavarësisht ku jetojmë, lidhjet tona janë të pathyeshme. Ju e dini se, sot jemi përballë një prej sfidave më të mëdha të kohës sonë, largimi i të rinjve dhe i njerëzve nga Shqipëria, si ne nje eksod gati biblik.
Në çdo lagje, në çdo fshat, e ndjejmë boshllëkun që po lë kjo ikje.
Nuk është thjesht humbja e një personi, por është një humbje e shpresës, e së ardhmes, dhe e energjisë që mund të ndërtojë vendin tonë.

Të dashur miq,

Jemi mbledhur sot këtu jo vetëm për të ndarë kujtimet dhe dashurinë për vendin tonë, jo vetem per te nderuar arritjet tuaja ne bote, por edhe për të përballuar një realitet që na rëndon të gjithëve: Shqipëria jonë e dashur po zbrazet dita-ditës.
Sot kemi shkolla që nuk kanë më zërat e fëmijëve që dikur mbushnin klasat dhe rrugët e qytetit.

Shqipëria mbetet gjithnjë më e vetmuar.

Une dua te ndaj me ju edhe shifra.

Statistikat tregojnë se mesatarisht mbi 50 mijë persona emigrojnë nga Shqipëria çdo vit .
Dmth çdo vit largohet një qytet.

Kjo e ka bërë Shqipërinë edhe më të vogël, por edhe më të plakur.

Të rinjtë janë në kërkim të një jete që nuk i kufizon ëndrrat e tyre. Ata e duan vendin, por ndihen të pafuqishëm përballë sfidave të përditshme, dhe ikja u duket shpëtimi i vetëm.

Por çfarë ndodh me Shqipërinë që lënë pas?

Kur një i ri largohet, nuk humbet vetëm një qytetar humbet një shpresë për të ardhmen.

Shkollat po boshatisen, ekonomia po dobësohet. Familjet po ndahen, dhe shpirti i bashkësisë sonë po copëtohet.

Por unë besoj se ne mund ta ndryshojmë këtë situate.

E kemi detyrim ndaj brezave që kanë sakrifikuar dhe ndaj atyre që do të vijnë. Le të punojmë së bashku për të ndërtuar një Shqipëri që i mban të rinjtë e vet, që u ofron mundësi, që i jep arsye edhe për të qëndruar.

Na duhet të ndërtojmë një vend ku shpresa dhe mundësitë të jenë të pranishme për të gjithë.

Për këtë na duhet edhe nje here ndihma juaj.

Në zgjedhjet e ardhshme, për herë të parë, diaspora do të ketë mundësinë të votojë nga jashtë.

Mbase jeni mundesia kyçe , qe Shqiperia ka, per te mos rreshqitur drejt zbrazjes te parekuperueshem.

Zëri juaj duhet të dëgjohet dhe angazhimi juaj është jetik për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë premtimin e saj te humbur.

Të dashur bashkëkombës, largimi nuk është një rrugë pa kthim. Le të bashkojmë forcat.

Le te votojme dhe të ndërtojmë një të ardhme ku të rinjtë tanë të ndihen të sigurt dhe të lumtur të jetojnë edhe në tokën e tyre. Shqipëria është vendi ynë i përbashkët dhe, vetëm së bashku, mund ta bëjmë atë të fortë dhe të begatë.

Diaspora është pjesa më e vyer e popullit tonë, sepse keni një vullnet të paepur për të ndihmuar dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve në vendlindje.

Ju falenderoj për gjithçka që bëni.
Për mbështetjen tuaj, për zemrën e madhe dhe për të gjithë sakrificën që keni bërë në emër të një Shqipërie më të mirë.

Le të ecim përpara së bashku, të bashkuar nga dashuria për vendin tonë të përbashkët dhe të frymëzuar nga e ardhmja që mund të ndërtojmë së bashku.

Ju faleminderit për gjithçka që bëni për Shqipërinë dhe për atë që vazhdoni të jeni shqiptarë të vërtetë me zemër të madhe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb