Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga takimi me diasporën se në Kretë do të hapet konsullata e Shqipërisë, pas 1 viti.

Kreu i qeverisë tha se shqiptarët që jetojnë në ishull nuk do të kenë nevojë të udhëtojnë drejt Athinës për të marrë shërbimet konsullore.

“Kreta është historikisht një ishull kokëfortësie, njerëzit më kokëfortë të historisë së këtij vendi kanë dalë këtu në Kretë. Por edhe ju duhet të jeni nga shqiptarët më kokëfortë që keni ardhur këtu, keni rezistuar dhe keni triumfuar këtu. Prandaj dua t’ju them se si sot 1 vit këtu do të jetë në dispozicionin tuaj konsullata e Shqipërisë. Ju nuk do të keni nevojë të shkoni në Athinë, njësoj siç vlonjatët apo shkodranët e kanë tmerr kur ju thua shkoni në Tiranë dhe unë e di që e keni tmerr kur ju thoni shkoni në Athinë. Shtetin shqiptar do t’ua sjellim këtu në Kretë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë foli edhe për programin e gjuhës shqipe duke theksuar se ai do të zgjerohet me mësues por edhe për një aplikacioni i cili do të jetë në celularin e çdo emigranti.

“Kemi mbi 50 mësues për mësimin e gjuhës shqipe në Greqi, 8 prej tyre janë këtu në Kretë. Programi i mësimit të shqipes do të zgjerohet qoftë me mësues këtu, qoftë me aplikacion që është thuajse gati. Do ta tregojmë javët në vijim. Një aplikacion që kushdo do ta ketë në telefonin e vet për t’i mësuar fëmijëve gjuhën shqipe në një mënyrë shumë miqësore dhe tërheqëse. Ne duam që fëmijët e Shqipërisë të zgjedhin ku të duan, por ama çdo herë kur të dëgjojnë shqip të dinë se çfarë thuhet dhe të dinë se çfarë thonë”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb