Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së “Medaljes së Artë” për nxënësit ekselentë, ku ka shprehur vlerësimin dhe respektin e tij për përpjekjet dhe sukseset e tyre, duke i cilësuar si “heronj pozitivë të një kohe sfiduese”.
Në fjalën e tij, Rama theksoi rëndësinë e sakrificave të bëra nga nxënësit për të arritur rezultate të shkëlqyera, shpeshherë përballë kushteve të vështira ekonomike dhe sociale.
“Jam i bindur se ndër ju ka djem dhe vajza që janë rritur në familje me halle, që kanë një prind të vetëm në punë apo që ecin gjatë për të shkuar në shkollë. Pavarësisht këtyre vështirësive, ju keni zgjedhur rrugën më të vështirë dhe për këtë arsye, ju jeni heronj për mua,” u shpreh Rama.
Ai e quajti këtë ceremoni si momentin më të veçantë të punës së tij, duke shtuar se si rrallëherë ndihej “më i shkurtër” përballë të rinjve ekselentë.
Në mesazhin e tij, Rama i inkurajoi nxënësit që të ndjekin ëndrrat e tyre pa hequr dorë përballë sfidave. “Një ëndërr që e sheh me sy hapur mund të arrihet, por mes teje dhe asaj ëndrre është një det me sfida që duhet ta kalosh në këmbë, pa u zmbrapsur nga dallgët apo nga lodhja,” tha ai.
Duke përfunduar, Kryeministri u shpreh se çdo sukses vjen si rezultat i karakterit, punës dhe përkushtimit, duke u bërë thirrje nxënësve të vazhdojnë të ndjekin rrugën e tyre drejt shkëlqimit.
(BalkanWeb)