Të gjithë e mbajnë mend shtëpinë në fshatin “Gurra e Matit” që u bë e famshme pas një hetimi të prokurorisë për krime lufte në Hagë dhe që atëherë mori emrin “Shtëpia e verdhë”.
Në këtë shtëpi sipas një raporti të ish-prokurores së Hagës Karla Del Ponte thuhet si ishin kryer transplante të organeve për luftëtarët serbë gjatë luftës së Kosovës për qëllime tregtie.

Më pas, ishte deputeti zviceran, Dick Marty, që në cilësinë e raportuesit në Këshillin e Europës paraqiti raport për “Shtëpinë e Verdhë”. Kjo bëri që në vitin 2012, të ushtrohej kontroll në banesë nga hetues ndërkombëtarë, të ndihmuar nga pala shqiptare.

Edhe pse kanë kaluar rreth 14 vite nga akuza e ngritur ndaj tyre familja Katuçi kërkon pastrimin e emrit dhe dëmshpërblim për dëmin që iu është shkaktuar. Edhe në përgjigjen e fundit të autoriteteve për këtë familje nuk ka asgjë konkrete.

Në një prononcim për gazetarin Enver Doçi, më e moshuara e familjes, Hatixheja tregon tmerrin e asaj dite ku në banesë zbarkuan 12 ekspert të huaj e ku i nxorrën jashtë nga banesa me forcë. Por 84-vjeçarja thotë se drejtësinë e munguar do ta kërkojë pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë.
“Këtë punë nuk ia bëj hallall. Të dalë nusja e djalit tim dhe të rrihet me policinë. E të rrihen me një grua. Ne do të shkojmë tek ambasada amerikane të kërkojmë të drejtën. Do rrimë pa bukë e pa ujë”, thotë Hatixhe Katuçi.

Ndërkohë edhe Abdullai, kryefamiljari i familjes Katuçi do të protestojë pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Djali i familjes, Mërsimi thotë se nuk ka patur asnjë mbështetje nga shteti shqiptar për të kërkuar të drejtën e familjes së tij pas një akuze aq të rëndë. Ai thotë se këtë çështje do ta lërë amanet edhe në breza të tjerë që ta pastrojnë familjen nga kjo akuzë dhe të marrin dëmshpërblimin e merituar.

“Prej 15 vitesh unë nuk kam lënë institucion të shtetit shqiptar pa kërkuar të drejtën. Qoftë kryeministrit Berisha, Kryeministrit Edi Rama. Përgjigjet janë pa rezultat. Shteti shqiptar nuk më jep asnjë lloj avokati, asnjë lloj ndihme për ta kërkuar në institucionet ndërkombëtare të drejtën. Do ia lë amanet edhe fëmijëve, brez pas brezi”, tha Mërsim Katuçi.

Mërsimi ka një apel edhe për kryeministrin aktual të Kosovës, Ramush Haradinaj që ta mbështesë për të drejtën e familjes së tij, dhe të gjejë zgjidhje ashtu siç bëri ai për veten e tij vite më parë. Po ashtu, Mërsim Katuçi ka edhe një kërkesë për ambasadorin amerikan në vendin tonë, që ta mbështesë familjen e tij.
“Ia kërkoj dhe kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj të më ndihmojë për të drejtën. Jam tepër i indinjuar për këtë akuzë që më kanë bërë. I kërkoj edhe njëherë ambasadës amerikane të ndërhyjë për zbardhjen e kësaj të pavërtete që është bërë ndaj meje”, u shpreh ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb