Drejtori i Mbikqyrjes së Produkteve, Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut Julian Llupo i ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj foli për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen nga produktet e rrezikshme. Llupo tha se standardet e kërkuara të BE duhen zbatuar dhe se kontrollet janë shtrirë edhe në dogana, ku po bëhet një punë e mirë nga ana e kontrollit të produkteve të importuara.

“Autoritetet doganore po bëjnë një punë të mirë në kontrollin e produkteve, duhet të ndryshojë filozofia e tregut. Po marrim mostra në treg dhe presim të kemi rezultate reale për produktet që nuk plotësojnë standardet. Mallrat që hyjnë në Shqipëri duhet të jenë të një niveli të Bashkimit Europian, pasi prodhuesit janë të detyruar të prodhojnë sipas standarteve europiane. Rritja e standardeve bëhet përmes ankesave, duhen raportuar pasi lodrat që sjellin probleme tek fëmijët 0-3 vjeç shkaktojnë deri në mbytje.
Konsumatorët duhet të ankohen për produkte të tilla, duhet të jenë të vëmëndshëm gjatë blerjes së lodrave. të shikojnë të gjithë informacionin dhe është detyrim i importuesit që informacionin ta japë në gjuhën shqipe”-tha Llupo.

Llupo u shpreh se ISHMT kryen kontrolle për përputhshmërinë me standardet referuese të karakteristikave fizike, mekanike,kimike, të lodrave dhe se me mijëra produkte lodra kanë rezultuar jo në konformitet me BE.

“Janë hequr nga tregu mijëra lodra, inspektoriati është fokusuar te importi. Nëse inspektoriati e vlerëson se produkti përbën rrezikshmëri, duhet të shkojë në laboratorë. Analizat bëhen vetëm me dokumentet e duhura, nëse një produkt nuk plotëson standardet shkon për shkatërrim. Problematikë mbeten produktet në kontakt me ushqimin, duhet të përputhen të dhënat e produktit me atë që nxirret në Rapex, duhet të shkojmë drejt testeve, zgjidhjes. Çdo konsumator mund të ankohet për lodrat dhe pas ankesës shkojmë te importuesi. Vendi ynë nuk ka laborator të akredituar për analizat dhe kostoja laboratorike mbeten barrë e rëndë. Nëse bëjmë analiza të vazhdueshme, kostot do të jenë të larta dhe inspektorët nuk i përballojnë dot”-u shpreh Julian Llupo.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb