LOS ANXHELES – Aktorja amerikane Julianne Moore fitoi dje në mbrëmje çmimin Oscar si aktorja më e mirë për interpretimin e saj në një film kushtuar sëmundjes së Alzheimerit, me filmin “Still Alice”.

Por, cili është subjekti i këtij filmi, që ka tronditur jo pak publikun? Gjithçka filloi me disa fjalë që i dolën si padashje gjatë një diskutimi.

Më pas, kur doktoresha e shkencave Alice Howland, gjuhëtare e njohur e Columbia University, përhumbet kur ishte duke vrapuar në një park pranë shtëpisë së saj, fillon të kuptojë se diçka nuk shkonte dhe vendos të bëjë një konsultë mjekësore.

Diagnoza i bie si rrufe në qiell të pastër. Alice ka një formë të rrallë të Alzheimerit, ndonëse nuk ka bërë as të 50-tat.

”Still Alice”, i sapodalë në SHBA pasi u piratua nëntorin e kaluar gjatë sulmit të hackerave ndaj kompanisë ”Sony” është një film për Alzheimerin, sëmundjen që shkatërron neuronet dhe që po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën.

Skenari i filmit me regjisorë Richard Glatzer dhe Wash Westmoreland me një Julienne Moore të jashtëzakonshme në rolin kryesor dhe që jo rastësisht është kandidate për çmimin Oscar si aktorja më e mirë, është marrë nga libri me të njëtin titull i Lisa Genovas.

Mes protagonistëve të tjerë janë Alec Baldwin, bashkëshorti i Alices, Kristen Stewart, Kate Bosworth dhe Hunter Parrish.

Filmi dhe libri flasin prerë për efektet shkatërruese që Alzheimeri ka mbi viktimat e tij dhe familjet e tyre.

Fakti që Alice, grua inteligjente dhe në karrierë, goditet nga kjo sëmundje tregon se kjo e fundit nuk kursen asnjë.

Përkundrazi, Alice nuk i abandonon fëmijët, pasi forma e sëmundjes që ajo vuan është gjenetike, çka do të thotë se mund të transmetohet nga brezi në brez.

Mjafton vetëm titulli i filmit për të kuptuar se çfarë është Alzheimeri.

“Shoh fjalët para meje por nuk mundem t’i nxjerr, nuk e di kush jam dhe nuk e di se çfarë do të humbas më vonë”, i thotë Alice një prej vajzave të saj.

Moore futet brenda personazhit në një mënyrë të jashtëzakonshme duke interpretuar një botë në panik, në konfuzion dhe madje edhe në irritim.

Alice, dikur një grua me një jetë perfekte, tashmë me një sëmundje që po i ha trurin, pikërisht atë që shfrytëzoi më shumë për të ndërtuar jetën e saj.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: