ATHINE– Greqia i është rikthyer rritjes ekonomike dhe më 20 gusht do të jetë fundi i programit të tretë dhe final për vendin. Këtë e deklaroi sot presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin grek, Aleksis Cipras.

Juncker theksoi se shtetet duhej të respektonin detyrimet e borxheve, ndërkohë që nënvizoi se performanca e Greqisë ishte e shkëlqyer.

“Po përpiqemi të realizojmë një dalje të pastër, pa veprime parandaluese”, shtoi ai.

Më tej, ai deklaroi se rekomandimi i dhënë për hapjen e negociatave me Shqipërinë nuk do të thotë anëtarësim në BE.

“Nuk duhet përsëritur përvoja e trishtë e tragjedive që zaptuan Ballkanin në vitet 1990. Ndasitë, sidomos ato që kanë të bëjnë me kufirin duhet të zgjidhen para se të ketë një anëtarësim të ri. Komisioni rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, por kjo nuk do të thotë se kemi dhënë një datë për anëtarësimin”, u shpreh ai.

Sipas Juncker, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të gjykohen sipas kritereve të vendosura dhe ecurisë së reformave shtet-ndërtuese.

Juncker nënvizoi rëndësinë e Greqisë në përballimin e krizës së refugjatëve. Ai thotë se BE nuk mund ta lërë vetëm Athinën në përballimin e krizave të tilla.

“Ka vende të BE-së që nuk e quajnë një problem të tyrin, por harrojnë që kanë një detyrim për të treguar solidaritet me Greqinë dhe të ofrojnë ndihmën e tyre”, shtoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: