Fjala “Juntë” vjen nga spanjishtja dhe ka prejardhje edhe më të lashtë, latinishten, me foljen “jungere (shqipto: junxhere)”, që do të thotë me bashku. Ka kuptimin e një grupi bashkëpunëtorësh ushtarakë që përmbysin një qeveri dhe marrin pushtetin, të cilin e mbajnë me forcën e ushtrisë që komandojnë. Juntat zakonisht janë treguar të përgjakshme, duke përdorur ligje të egra ushtarake dhe forcë e dhunë përtej çdo përfytyrimi. Mbahen mend juntat e Brazilit (1964-1985), e Greqisë (vitet 1967-1974, e quajtur ndryshe regjimi i kolonelëve) dhe ajo e Argjentinës (1976-1983). Juntat e Brazilit dhe të Argjentinës kanë qenë tejet të përgjakshme. E para vrau me mijëra protestues kudo në Brazil, burgosi e torturoi me dhjetëra gazetarë. E dyta zhduku me dhjetëra mijëra vetë kundërshtarë të juntës, i rrëmbeu, fshehu, i torturoi dhe edhe sot e kësaj dite nuk dihet ku ata kanë varrin. Të mbiquajturit e njohur në të gjithë botën si “los desaparecidos” (të zhdukurit). Edhe sot që flasim, në botë janë pesë vende të qeverisura nga juntat, mes të cilave edhe Tajlanda. Është vështirë të krahasosh një anëtar të kabinetit të një vendi demokratik si Shqipëria (ministrin e Brendshëm), që vjen nga një formim ushtarak, me natyrën në formim e sipër të një junte. Edhe tejkalimi i përdorimit të forcës, dëshmuar nga një video e djalit 21-vjeçar, krejtësisht paqësor dhe pa asnjë shenjë dhune të një ish-deputeti të Partisë Demokratike, që keqtrajtohet nga një polic i yni i veshur civil në protestën e datës 16 mars, mund të tregojë shumë gjëra. Mund të na flasë për një polici me dy standarde, me gjithë përpjekjet e ministrit të sotëm të Brendshëm (për t’u përshëndetur), për të kërkuar dhe siguruar anën njerëzore të strukturës që drejton.


Të vërtetuara nga vendimi për të larguar menjëherë nga detyra drejtorin e policisë së Tiranës, vetëm nga tejkalimi i përdorimit të forcës nga kjo polici për të nxjerrë nga shtëpitë dy familje, pas vendimit të përmbarimit për t’ia dhënë shtëpinë ish-pronarit. Të gjitha këto raste mund të tregojnë se ka shumë dhunë të pajustifikuar brenda radhëve të policisë sonë. Por, kurrsesi se jemi në fillesat e formimit të një junte ushtarake. Megjithatë, Kryetari i Shtetit tonë e dha këtë paralajmërim pak ditë më parë. Edhe pse junte ushtarake reale nuk po formohet brenda nesh. Ai bëri shumë mirë kur kërkoi vetëpërmbajtje nga të dyja palët në protestën e 16 marsit. Kishim shumë nevojë si qytetarë, për praninë e Kryetarit të Shtetit në ato momente. Sikurse kishim edhe një ditë përpara protestës së opozitës së 16 shkurtit. Kur përfaqësues të saj paralajmëruan një protestë të fortë (madje edhe të dhunshme, me shprehjen “Populli do e vendosë”). Protesta u zhvillua e dhunshme nën sytë e kamerave televizive të vendit dhe të të gjithë botës. Prej saj humbëm jashtëzakonisht shumë si imazh i një vendi të qëndrueshëm e të sigurt. Ishin të dhimbshme ato pamje të një ndërtese kryesore të shtetit në tym e flakë. Po pak ditë përpara protestës së 16 shkurtit, dy partitë tona kryesore në opozitë kërcënuan me daljen pa kthim nga Kuvendi dhe dorëzimin e mandateve të përfaqësimit të 675 mijë qytetarëve që kishin votuar për to dy vjet më parë.


Mund të bënte gjë Kryetari i Shtetit për të frenuar sadopak këtë rrokullisje politike në vend në ato momente? Ndoshta po, ndoshta jo. Pas një muaji, ai me shumë të drejtë e kritikoi veprimin e pashoq të opozitës së vendit. Ndoshta mund ta kishim një shpresë tek autoriteti i Kryetarit të Shtetit, tek një dorë e nderur prej tij për dialog nga të dyja palët dhe thirrja publike për të parandaluar një veprim të tillë fatal, në kohën e duhur. Tri ditë më vonë, më 19 shkurt 2019, deputetët e opozitës dorëzuan masivisht mandatet e tyre dhe e nxorën opozitën e vendit jashtë sistemit politik. Sot pyetja që qëndron përpara shumë qytetarëve është: a mundet Kryetari i Shtetit të bëjë diçka për të ndalur rrokullisjen e mëtejshme të gjendjes sonë politike, edhe kështu tejet e tensionuar dhe në dukje pa rrugëdalje? Edhe pse Kushtetuta e sotme nuk është më ajo e vitit 2007 (në atë kohë Presidenti i Republikës kishte atributin të shpërndante parlamentin), sërish autoriteti i Kryetarit të Shtetit do të thotë shumë për vendin tonë. Ai e ka një rast, kur paraardhësi i vet arriti të sillte dialogun dhe në fund marrëveshjen. Dymbëdhjetë vite më parë, në një gjendje të tensionuar fort politike, në janar të vitit 2007, dy javë përpara zgjedhjeve vendore, Kryetari i atëhershëm i Shtetit, Alfred Moisiu reagoi dhe i mblodhi kryetarët e partive kryesore politike në Pallatin e Brigadave. Sikurse e ka deklaruar vetë, i mbajti me çaj e me pica për 48 orë rresht dhe u gjet marrëveshja. Zgjedhjet vendore u shtynë nga 20 janari në 18 shkurt 2007 dhe u tejkalua problemi i mprehtë i certifikatave të gjendjes civile.


Kryetari i sotëm i Shtetit mund të mos ketë gjasat të jetë kaq i suksesshëm, pasi drejtuesit e partive kryesore politike duken se ndodhen të larguar nga dialogu me vite dritë sot. Megjithatë, forca e autoritetit që i jep Kushtetuta dhe të qenit qytetari i parë i vendit mund t’u shërbejë qytetarëve të këtij vendi. Edhe paralajmërimi për t’u vetësakrifikuar që të mos lejojë formimin e juntës në vend (pavarësisht se sa reale mund të jetë perspektiva e formimit të juntës ushtarake te ne), ka shërbyer disi për të shkundur pozitën e sotme nga vetëkënaqja pse ndërkombëtarët janë njëzëri me qëndrimin e saj. Por, ka edhe një pjesë të padukshme të hënës dhe ajo për ne është: sa larg mund të shkojë kjo opozitë e vetësakrifikuar dhe e dëshpëruar? Fatura e tensionit të sotëm të skajshëm politik ka filluar të bëhet e rëndë për ekonominë tonë. Nuk është kurrë vonë për të provuar rrugën e dialogut, nëpërmjet Kryetarit të Shtetit. Vullneti dhe zëri i tij është i mirëpritur nga të gjithë qytetarët e këtij vendi, pse mundësitë për të na ndihmuar janë të mëdha, me gjithë gjymtimin e rolit të Kryetarit të Shtetit nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb