4 pikë në dy ndeshje, me zonën Champions që tani është fare pranë, Juventusi i Igor Tudor duket një skuadër e rigjeneruar. Ardhja e kroatit në stolin e “Zonjës së Vjetër”, duket se ka dhënë impulset e duhura, për ta rivendosur në shina skuadrën bardhezi drejt arritjes së objektivave sezonal. Ndaj Romës të dielën, pavarësisht barazimit 1-1, sërish skuadra bardhezi dha sinjale pozitive. Ndoshta ajo që ngelet për tu përmirësuar është pësimi i golave, sidomos gjatë goditjeve standarde, një aspekt ky i nënvizuar edhe trajneri Tudor pas përfundimit të takimit.
Një tjetër problematikë tek Juventus për Igor Tudor mbeten zgjedhjet në sulm. Tekniku i ka dhënë besimin e munguar sulmuesit serb Dusan Vlahoviç, por megjithatë ky i fundit ende duket shumë larg formës, për tia kthyer besimin e dhënë nga Tudor. Në këtë mënyrë ndaj Lecces, në sfidën e radhës në kampionat, tekniku kroat po mendon një Juve më sulmuese nga sa e kemi parë zakonisht. Në majën e sulmit do të jetë Vlahoviç por këtë herë i mbështetur nga prapa nga Yildiz, Kolo Muani dhe Nico Gonzales. Një formacion ultra ofensiv, që prej vitesh nuk është parë në Torino, por që ndoshta ka ardhur momenti që Igor Tudor të provojë ta aplikojë, për t’i dhënë skuadrës së tij potencë në fazën sulmuese, me qëllim marrjen e maksimumit në javët e mbetura të Serisë A.