Janë luajtur sot në mbrëmje pjesa më e madhe e ndeshjeve të javës së 10 të Serisë A, ku mes të tjerash kishte dhe 2 derbi shqiptarësh, ai mes Peskarës dhe Atalantës, si dhe Napoli ndaj Empolit.

Juventus u rikthye te fitorja pas humbjes para 4 ditësh me Milanin duke mposhtur 4-1 në shtëpi Sampdorian. Golat për ekipin e Alegrit u shënuan nga Manxukiç, Pjaniç dhe një dopietë e Kielinit.

Pas 4 ndeshjeve pa fitore, nga të cilat 3 humbje radhazi, Interi arriti të mposhtë në shtëpi Torinon me shifrat 2-1 falë dopietës së Ikardit. Ndërkohë për Torinon shënoi sulmuesi i talentuar Beloti. Mbrojtësi shqiptar Arlind Ajeti nuk u preferua as këtë ndeshje nga trajneri Mihajloviç teksa e ndoqi gjithë takimin nga stoli.

Roma fitoi me përmbysje 1-3 në transfertë ndaj Sasuolos falë dopietës së Xhekos dhe një goli nga Najngolan. Fitore edhe për Lacion që mposhti 4-1 në shtëpi Kaljarin falë dopietës së Imobiles dhe nga një goli të Keitasë dhe Andersonit. Portieri Thomas Strakosha e ndoqi takimin nga stoli rezervë.

Etrit Berisha doli fitimtar në derbin ndaj Memushajt dhe Manajt. Ekipi i tij Atalanta fitoi 0-1 në transfertë falë golit të Kaldarës në minutën e 60. Të tre shqiptarët e nisën titullarë takimin dhe vëtëm Memushaj u zëvendësua në minutën e 58.

Në derbin tjetër të shqiptarëve në “San Paolo”, Napoli vendas mposhti 2-0 Empolin falë golavë të Mertend dhe Çiriçes. Frederik Veseli u aktivizua për 90 minuta të plota për miqtë, ndërkohë që Hysaj u fut në lojë vetëm në minutën e 78-të për vendasit, teksa ishte lënë në stol nga trajneri Sarri për shkak të lodhjes fizike.

Pas këtyre takimeve, Juventus kryeson me 24 pikë dhe ndiqet nga Roma me 22 dhe Napoli me 20. Lacio i Strakoshës renditet i 5-ti me 18 pikë. Atalanta e Etrit Berishës në një formë të shkëlqyer tashmë duke mos humbur në 5 ndeshjet e fundit dhe duke marrë njëkohësisht 4 fitore mban vendin e 6 me 16 pikë. Interi është ngjitur i 10-i me 14 pikë. Peskara e Manajt dhe Memushajt renditet e 17-a me 7 pikë, ndërsa Empoli i Veselit i parafundit me 6 pikë. /panoramasport/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: