Juventus vijon sezonin me ulje ngritje të forta duke e kthyer merkaton e janarit në një domosdoshmëri. Është e qartë që trajneri Thiago Motta ka nevojë për disa përforcime, mbi të gjitha në mbrojtje dhe në sulm. Merkato e “Zonjës së Vjetër” edhe një herë rrotullohet rreth Dusan Vlahovic. Sulmuesi serb është “xhevahiri” më i çmuar që Juve ka në dispozicion, por as këtë sezon Vlahovic nuk po arrin të bëjë diferencën në Torino duke bërë që emri i tij të lakohet sërish për një largim të mundshëm.
Pak ditë më parë, mediat shkruanin për një interesim nga ana e PSG, por klubi francez kërkon të përfshijë në negociata kartonin e Kolo Muanit për të ulur kostot e këtij transferimi. Diskutimi është ndryshe kur flitet për Man.United. Mediat angleze shkruajnë këtë të hënë për një shkëmbim të bujshëm mes dy klubeve. Nuk është një sekret që Thiago Motta po bën gjithçka për t’u bashkuar me Zirkzee, këtë e dinë shumë mirë edhe drejtuesit e “djajve të kuq”, për këtë arsye kërkojnë të përfshijnë në negociata edhe Dusan Vlahovic, një emër që është lakuar shpesh në vitet e fundit në Premier League. Ruben Amorim kërkon një sulmues të ri në janar dhe Vlahovic është një opsion që pëlqehet nga tekniku portugez, ndërsa Zirkzee nuk bën pjesë në planet e tij.