Po shkëlqen në Serinë A! Marash Kumbulla konsiderohet nga të gjithë specialistët e futbollit si ylli i ri i mbrojtjes së Veronës dhe shumë shpejt i një prej klubeve elitë në Apenine. Lojtari i Kombëtares shqiptare, që në sfidat e fundit nuk ka luajtur për shkak dëmtimi, shpreson që të jetë gati për përballjen ndaj Fiorentinës. “Nuk e di nëse do të jem, por po punoj shumë personalisht, por edhe me grupin. Do të shikojmë gjendjen, pastaj në fund do të vendosë trajneri. Dua vetëm të provoj të jem gati. Mes terapisë dhe ushtrimeve në fushë, shpresoj të jem gati”.

Zërat e merkatos e kanë rrethuar që pas ndeshjeve të para ku adoleshenti ka shfaqur pjekurinë dhe saktësinë e një veterani, por ai vijon të ketë mendjen te klubi që e ka futur në futbollin e rëndësishëm. “Mua do të më mjaftonte të vazhdoja rritjen dhe të luaja për Veronën. Një skuadër që e dua sepse më ka marrë nga Kavalkazele kur isha një fëmijë dhe tashmë jam mes profesionistëve”.

Një prej klubeve të interesuara është edhe Juventusi, kampioni në fuqi i Italisë për vitin e tetë radhazi dhe skuadra më e fortë në Serinë A, por Marashi nuk ka ndërmend të zhbalancohet. “Më bëhet qejfi, por nuk lexoj dhe nuk ëndërroj për këto gjëra. Prindërit e mi më kanë mësuar të qëndroj gjithnjë me këmbë në tokë. Sigurisht nëse më flisni për Juventusin, iu them se lojtari më i fortë që kam përballur në këto javë të Serisë A është Paulo Dibala. Ka një klas të çmendur, merr vendime të shpejta dhe një ekzekutim unik”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb