25 fitore në 26 ndeshjet e fundit, ky Juventus nuk di të ndalet! Edhe pse është shpallur matematikisht kampione e Italisë për të 5-tin vit radhazi, skuadra bardhezi nuk pati mëshirë për Carpin, duke triumfuar 2-0 në “Juventus Stadium” dhe duke vazhduar kështu ecurinë pozitive në kampionat. Në një stadium të tejmbushur me tifozët që dëshironin të festonin së bashku me idhujt e tyre fitimin e titullit kampion, Juventusi nuk zhgënjeu. Në të 42-tën, me një goditje të bukur nga jashtë zone, braziliani Hernanes i dha epërsinë Zonjës së Vjetër, ndërkohë që 9 minuta përpara fundit të lojës, Simone Zaza dyfishoi shifrat duke sfumuar edhe pak shpresa të Carpit për të marrë diçka në Torino.

Një humbje që djeg kjo për skuadrën nga Emilia Romagna, pasi Carpi tashmë e sheh veten të parakaluar nga Palermo edhe pse ndodhen në kuotë të barabartë pikësh. Lufta për mbijetesë bëhet më e nxehtë se kurrë, pas fitores 2-0 që arriti Palermo në Renzo Barbera ndaj Sampdorias. Skuadra siciliane falë golit të Franco Vasquez në të 19-tën dhe autogolit të Krsticic në të 85-tën, kaloi pa shumë vështirësi dorianët e Montellës, duke u ngjitur në vendin e 17-të të klasifikimit, në kuotën e 35 pikëve. Nuk di të fitojë më Milani, që barazoi 3-3 me Frosinonen në San Siro, një ndeshje me të vërtetë e çmendur. Ishin miqtë ata që kaluan të parët në avantazh me Paganinin pas vetëm 2 minutash lojë.

Edhe pse lojën e bënte të gjithën Milani, Baça e Balotelli nuk kishin saktësinë e duhur në finalizim dhe Frosinone i ndëshkoi kuqezinjtë me golin e dytë në fundin e pjesës së parë. Kragël ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje standarde nga një distancë e largët duke mos i dhënë asnjë shans Donnarummës. Pjesa e dytë nisi me Milanin në sulm, por Balotelli gaboi një 11-metërsh në të 48-tën me penalltinë që u prit nga Leali, ndërsa Arlind Ajeti u parapriu sulmeve të Milanit duke e larguar topin në këndore.

Gjithsesi portieri i miqve gaboi pak sekonda më pas duke i dhënë mundësinë Carlos Baçës të rihapte sfidën. Por atëherë kur të gjithë prisnin golin e Milanit, ishte Frosinone që realizoi të tretin me Dionisin. Antolleli dhe Menez me golat e tyre i dhanë një pikë Milanit duke e barazuar sfidën në 3-3, por në fund ky barazim i la të zhgënjyera të dyja skuadrat, pasi Milani u parakalua në renditje nga Sassuolo, që fitoi 1-0 ndaj Veronës, ndërsa skuadra e Stellones, dy javë përpara fundit ka shumë pak shpresa për të siguruar mbijetesën.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: