François Bayrou, kryeministri i ri francez, e quan veten një fermer.

Bayrou ka kandiduar tre herë për president, ndërsa ka thënë se rrënjët e tij rurale dhe politika centriste e shtynë atë të përpiqet të gjejë gjuhën e përbashkët midis të majtës dhe të djathtës.

I lindur në një familje fermerësh në Béarn, karriera politike më shumë se 40-vjeçare e Bayrou është ndërtuar mbi vendosmërinë për të mos i ndërprerë kurrë lidhjet me zonën e fëmijërisë së tij në rrëzë të Pirenejve në Francën jugperëndimore.

Ai u rrit në fshatin e vogël Bordères, midis faltores katolike të pelegrinazhit të Lourdes dhe Nay, vendlindja e beretës. Katolik dhe baba i 6 fëmijëve, ai ka ende një shtëpi në fshat dhe është kryebashkiak i qytetit jugperëndimor të Pau.

73-vjeçari ka ndërtuar me kujdes një imazh si intelektual i vendit. Kur ishte fëmijë, ai kishte një belbëzim dhe një mjek parashikoi se ai kurrë nuk do të ishte në gjendje të performonte në skenë, të ishte mësues apo politikan. Por më vonë Bayrou tha se ishte krenar që i kishte bërë të treja.

Ai ishte ministër i Arsimit gjatë presidencave të socialistit François Mitterand dhe të krahut të djathtë Zhak Shirak. Në vitin 2002 u përfshi në garën për President.

Bayrou është kreu i partisë centriste MoDem, e cila ka qenë pjesë e aleancës centriste të Macron që nga viti 2017. Gjatë garës presidenciale të vitit 2017, mbështetja e Bayrou për të riun Macron u pa si çelësi për të fituar zgjedhjet. Pasi kritikoi në fillim Macron, një ish-bankier, Bayrou më vonë u bashkua me të, duke nxitur për përfaqësim më proporcional në politikën franceze. Që atëherë ai ka mbetur një i besuar.

Bayrou u emërua ministër i drejtësisë nga Macron në vitin 2017. Por ai dha dorëheqjen menjëherë pasi u hap një çështje përvetësimi kundër tij dhe anëtarëve të partisë së tij. Ata u akuzuan për përdorimin e parave të Parlamentit Evropian të destinuara për asistentët parlamentarë për të financuar në vend të tyre punën partiake në Francë.

Në shkurt të këtij viti, Bayrou u lirua nga kjo çështje. Dy të tjerë u liruan dhe 8 persona u dënuan. Por prokurori i shtetit ka apeluar kundër të tre vendimeve të pafajësisë, që do të thotë se Bayrou do të përballet me një rigjykim, data e të cilit ende nuk është caktuar.

Bayrou kandidoi për president në 2002, 2007 dhe 2012 dhe mund të përpiqet të kandidojë përsëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb